Tetori mund të kthehet në muajin e adhuruar të Marash Kumbullës, muajin që i sjell fat dhe ndoshta mund të ketë një afeksion të veçantë për të. Sepse një vit më parë, 14 tetor 2019, ai debutonte me Shqipërinë në ndeshjen me Moldavinë, 0-4, duke hyrë në fushë në minutat e fundit.
Më tetor 2020 mbrojtësi i Romës ishte titullar me Kombëtaren e trajnerit Reja ndaj Kazakistanit, 0-0. “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull situatës së mbrojtësit 20-vjeçar me Kombëtaren dhe Romën. “Një rezultat i rëndësishëm që na mban në garë për objektivin tonë, – tha pas ndeshjes Kumbulla. – Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, që të bëjmë më shumë. Jam i lumtur që luajta titullar me ngjyrat kuqezi në Ligën e Kombeve”.

Ndeshja e radhës luhet të mërkurën ndaj Lituanisë dhe me shumë mundësi ai do të jetë sërish titullar. Pastaj rikthimi në Trigoria për t’u zhytur i gjithi në ambientin e Romës. Sepse tani Kumbulla duhet të bindë edhe trajnerin e Romës për të qenë titullar. Fonseka, pas rikthimit të Smolling, ka katër mbrojtës qendre që luajnë për tre vende. Njëri prej tyre me siguri është Smolling, pasi anglezi nuk do të vinte për të qëndruar në stol. Vendi tjetër i takon Mançinit, mbrojtësit të kombëtares së Italisë. Kështu, në letër i bie që vendi i tretë të diskutohet mes Kumbullës dhe Ibanez.
Janë dy më të rinjtë dhe tek ata Roma synon të ndërtojë të ardhmen. Megjithatë, duhet të përmirësohen në disa elementë dhe të fitojnë më shumë eksperiencë ndërkombëtare, kështu që aktivizimi me Shqipërinë e ndihmon Kumbullën që të bindë Fonsekën për gjitha gjërat e mira që mund të bëjë. Për këtë arsye ndeshjet me fanellën kuqezi janë të rëndësishme për të ardhmen.
Kumbulla do jetë titullar në Lituani dhe nëse do të paraqitet mirë, do ta vërë vërtet në vështirësi Fonsekën për ndeshjen e 18 tetorit me Beneventon. Për momentin, Ibanez është favorit për të kompletuar treshen e mbrojtjes së Romës. Ai ndodhet në Trigoria dhe po punon me trajnerin dhe grupin, por Kumbulla është gati të luajë kartat e veta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje