Kryeministri Edi Rama është thirrur në interpelancë në seancën e së enjtes nga dy deputetë të pakicave kombëtare greke dhe maqedonase në Shqipëri.
Interpelanca e kërkuar nga deputeti i pakicës maqedonase, Vasil Sterjovski dhe ai i pakicës greke, Ligoraq Karamelo është thirrur për t’i kërkuar shpjegime Kryeministrit Edi Rama, edhe në cilësinë e ministrit të Jashtëm se përse nuk janë miratuar aktet sekondare të ligjit për pakicat kombëtare i miratuar që në vitin 2017.
Dy deputetët e pakicave kombëtare thonë se megjithëse kanë kaluar më shumë se dy vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria nuk ka miratuar thuajse gjysmën e akteve nënligjore për të plotësuar përcaktimet e tij.

Deputetët kujtojnë se plotësimi me aktet nënligjore të këtij ligji është edhe një kërkesë e parashtruar në raportin e fundit të Komisionit Europian.
“Kjo çështje përbën shqetësim madhor për minoritetet në vendin tonë, por edhe për Komisionin Europian, i cili në raportin e progresit për Shqipërinë 2019 shprehet: “Shqipëria duhet të miratojë legjislacionin sekondar, të krijojë mekanizmat e nevojshëm dhe të rishikojë legjislacionin ekzistues përkatës, si hapa të nevojshme për të siguruar zbatimin e të gjitha parimeve dhe të drejtave të përcaktuara në ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, thuhet në kërkesën e deputetëve Sterjovski dhe Karamelo.
Ligji për pakicat kombëtare u miratua në Kuvend më 13 tetor të 2017-ës. Ai hyri në fuqi më 24 nëntor 2017 dhe parashikimet e tij ngarkonin Qeverinë që të miratonte aktet nënligjore në zbatim të tij brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje