Duke filluar nga dita e shtunë, Franca do të vendosë në shtetrrethim Parisin dhe tetë qytete të tjera të vendit në përpjekje për të kufizuar përhapjen e koronavirusit, pas rritjes së ndjeshme të kurbës së infeksionit në ditët e fundit.
Ndalimi i qarkullimit dhe lëvizjes do të zbatohet në Paris dhe qytetet e tjera duke filluar nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit dhe do të jenë në fuqi për katër jave, me mundësinë e zgjatjes së mëtejshme të tyre në rast se nuk vërehet përmirësim i situatës.
Tetë qytetet e tjera ku do të izolohet e gjitha jeta dhe aktiviteti i natës, përveç Parisit janë Grenoble, Lion, Marsejë, Montpelje, Ruen, St. Etien, Tuluzë dhe Lilë, që në total përbëjnë rreth 20 milionë banorë.
“Duke pasur parasysh përhapjen e pandemisë në territor, infeksioni është një kërcënim për sistemin shëndetësor. Kjo justifikon gjendjen e emergjencës së deklaruar në zonat në fjalë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë franceze.
Presidenti francez, Emmanuel Macron është kritikuar për keqmenaxhim të situatës dhe se i ka rrëshqitur nga duart virusi, që rrezikon të çojë në kolaps sistemin shëndetësor. Vetë Macron e cilësoi situatën shqetësuese.
Ai foli për rreth 20 mijë raste të reja ditore, ku 200 prej tyre kanë nevojë për trajtim mjekësor intensiv. Macron shtoi se synimi i masave të reja është që ngadalësojë përhapjen e virusit për të ndihmuar sistemin shëndetësor.
Presidenti francez mohoi mundësinë e një mbylljeje mbarëkombëtare. Ai tha se kjo masë do të ishte e zhdrejtë, ndërsa bëri thirrje që të respektohen rregullat e distancimit social dhe mbajtjes së maskave për të shmangur përforcimin e masave shtrënguese në 2-3 javët e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje