Armando Broja ka shkëlqyer në ndeshjen e parë si titullar me fanellën e Viteses në Holandë, ku pak kohë më parë kaloi si i huazuar nga Çelsi. Sulmuesi i Kombëtares ishte protagonist absolut në ndeshjen e sotme, duke i dhënë fitoren 0-2 skuadrës së tij me dy golat e shënuar ndaj Den Hag në transfertë.
Deri tani Broja kishte luajtur në katër ndeshje në kampionatin holandez, por si zëvendësues. Ai kishte shënuar më parë një gol, por me paraqitjen ndaj Den Hag tregoi se jo më kot një klub i madh si Çelsi ka investuar tek ai. Broja zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, duke ndërhyrë me shpejtësi brenda zonës për të çuar në rrjetë një top të grushtuar nga portieri.
Situata u komplikua disi për Vitesen në fundin e pjesës së parë, pasi mbeti me 10 vetë. Megjithatë, për skuadrën e tij mendoi Broja, i cili realizoi edhe golin e dytë me një veprim të shkëlqyer teknik të finalizuar me një gjuajtje të saktë. Ishte pa dyshim ndeshja që do t’i japë sulmuesit kuqezi të drejtën për të qenë titullar në vazhdim.
Broja vinte pas dy ndeshjeve me Kombëtaren, me Kazakistanin dhe Lituaninë, në të dyja i aktivizuar si titullar nga trajneri Edi Reja. 19-vjeçari dha sinjale pozitive me fanellën e Kombëtares, sidomos në Kazakistan. Nga specialistët vlerësohet si lojtari, tek i cili do të mbështetet sulmi kuqezi për shumë vite. Dopieta e sotme në Holandë e vërteton këtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje