Zllatan Ibrahimoviç nuk njeh limite, ai është i pavdekshëm. Tetori është shumë shpejt për të folur për kontrata të reja, por Milani duhet të eliminojë që tani tratativat e stërgjata si ato të verës me sulmuesin suedez. Dhe që Ibrahimoviç është në qendër të skuadrës, është evidente.
Në moshën 39-vjeçare, pasi kaloi edhe Covid-in, Zllatan Ibrahimoviç ia lejoi vetes të luajë një derbi nga fillimi në fund dhe ditën tjetër pati kohën të sistemonte edhe me një gjuhë dialektore rivalin Romelu Lukaku, ish-shok skuadre te Mançester Junajtid. “Milano nuk ka një mbret, Milano ka një Zot”, – shkruante sulmuesi. Derisa nuk do të ndërhyjë Papa Bergoglio, i cili ka gjëra më të rëndësishme për të bërë dhe që ndoshta mund të jetë argëtuar nga këto postime, Zllatani mund të jetë ai që është. Unik, një luan i uritur edhe në moshën 39-vjeçare. Iu çan “dërrasat” shokëve të skuadrës, por sjell sukses dhe rritje dhe për këtë të gjithë e dëgjojnë.

Nuk ka një propozim për rinovimin, që në këtë moment është herët, por fjalët e Paolo Maldinit para fitores në derbin me Interin kanë zbuluar vullnetin e klubit. I pyetur për rinovimin me Donarumën dhe Çalhanoglu, kontrata e të cilëve skadon pas pak muajsh, Maldini tha: “Kemi edhe Ibrahimoviçin mes atyre që duhet të rinovojnë”. Logjikisht, nuk është një çështje që duhet zgjidhur tani, pasi përpara është një sezon i tërë, por është e qartë se synimi për ta vazhduar bashkëpunimin edhe për një sezon është shumë e qartë. Për këtë duhet të jetë dakord edhe lojtari, por ai duket se po zbavitet vërtet.
Ibrahimoviçit i pëlqen roli i liderit, në skuadrat ku ka luajtur më parë nuk e ka pasur kurrë këtë pozicion. Kampion i madh. Ishte shoumeni i Milanit të Alegrit, por edhe në atë rast nuk ka pasur kaq shumë përgjegjësi. Tani që e ka ndihet mirë, ndihet i gjallë, siç thotë ai vetë. Në Milanelo është i lumtur, të gjithë e dëgjojnë me pasion dhe vrapojnë për të. Ideja është e qartë: rikthim në Ligën e Kampionëve me Ibrahimoviçin. Qëndrimi i sulmuesit do ta kursente Milanin nga ana ekonomike dhe më pas mund t’i ofrohet një rol drejtuesi në klub.
Zllatan Ibrahimoviç ka një rendiment të jashtëzakonshëm që pas karantinës. Ai ka plane ambicioze që aktualisht shkojnë në të njëjtën linjë me ato të Milanit. Sulmuesi nuk do ta mbyllë karrierën si një lojtar i zakonshëm. Nëse vazhdon me Milanin dhe luan edhe një tjetër Champions, suedezi mund të kthehet në lojtarin më të vjetër në moshë që do shënonte në këtë kompeticion.
Toti e ka bërë 38 vjeç e 59 ditë, Maldini ishte 37 vjeç kur shënoi në finalen e Stambollit. Mosha mund të jetë një numër, por të vazhdosh të dhurosh kënaqësi në perëndim është e paimagjinueshme. Për kontratën mund të diskutohet edhe më vonë, koha Ibrahimoviçit nuk i mungon kurrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje