Futboll

Prapaskena, turku Hakan Çalhanoglu i afrohet Interit

Milani dhe Hakan Çalhanoglu kanë ngecur sa i takon bisedimeve për rinovimin e kontratës, që skadon në vitin 2021. Futbollisti turk kërkon një pagesë prej 6.5 milionë eurosh në vit, një shifër që nga klubi kuqezi konsiderohet e lartë. Milani nuk ka në plan të japë më shumë se 5 milionë euro për mesfushorin.

Shtypi sportiv në Itali ndërkohë ka zbuluar një prapaskenë. Ndoshta edhe për t’i bërë presion Milanit, agjenti i Çalhanglu, Stipiç, po ua ofron klientin e tij disa klubeve të tjerë të njohur dhe mes tyre është edhe Interi, rivali i përjetshëm i kuqezinjve. Nuk është bërë e ditur ende se si është pritur ky propozim nga klubi i Interit, por nuk do të ishte çudi që zikaltrit t’i rrëmbenin Milanit një nga elementët më të mirë të muajve të fundit.

Futbollisti turk është i dëmtuar për momentin dhe pritet të kthehet pas 10 ditësh. Trajneri Stefano Pioli e ka preferuar titullar në derbi turkun, forma e të cilit ka qenë mjaft e mirë. Ai është një nga lojtarët që drejtori Paolo Maldini kërkon ta mbajë në skuadër në të ardhmen, por palët duhet të gjejnë akordin për rinovimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë