Zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian janë përfshirë në një përplasje diplomatike me Turqinë pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan vuri në dyshim shëndetin mendor të presidentit Emmanuel Macron, duke bërë që Parisi të tërheqë ambasadorin nga Ankaraja.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe zëvendës presidenti Komisionit Europian Margaritis Schinas u bashkuan me këtë përpjekje ndërsa Turqia ashpërsoi edhe më shumë kritikat ndaj presidentit francez dhe BE-së, pas sulmit të Erdoganit ndaj Macron për qëndrimin e tij ndaj Islamit.
Borrell shkroi në Twitter, në frëngjisht, se fjalët e Erdoganit janë “të papranueshme. Unë i bëj thirrje Turqisë që të ndalojë këto spirale të rrezikshme konfrontimi”.
Ish ministri i jashtëm spanjoll deklaroi se udhëheqësit e BE-së i kishin bërë Turqisë “një ofertë të vërtetë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, në një samit në fillim të këtij muaji . Por, kësaj radhe ai paralajmëroi se Turqia do të jetë edhe më e izoluar. “
Erdoğan deklaroi të shtunën se Macron ka nevojë për “trajtim mendor”.
Tensionet midis BE dhe Ankarasë janë rritur në muajt e fundit, për shkak të mosmarrëveshjeve detare në Mesdheun Lindor. Franca ka marrë një qëndrim veçanërisht të ashpër kundër Turqisë në përplasje më Greqinë dhe një sërë çështjesh të tjera, duke përfshirë luftërat në Siri dhe Libi, dhe së fundmi konfliktin në Nago-Karabak.

Erdogan ndërmori të dielën një sërë sulmesh personale ndaj Macron, duke thënë në një fjalim televiziv presidenti francez “ka humbur rrugën e zotit” dhe se “se me të vërtetë duhet të kontrollohet për sëmundje mendore”.
Macron u zotua këtë javë të fuqizojë luftën kundër islamizmit radikal, pas prerjes së kokës të një mësuesi që kishte treguar karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një diskutimi në klasë mbi lirinë e fjalës. Më parë këtë muaj ai u zotua t’i japë fund asaj që ai e quajti “separatizëm islamik” në shoqërinë franceze.
Drejtori i komunikimit i qeverisë turke, Fahrettin Altun, sulmoi nga ana tjetër BE-në në një serë postimesh në internet, duke akuzuar “disa udhëheqës europianë” për sulm ndaj myslimanëve.
“Ata po sulmojnë vlerat tona të shenjta, shkrimet tona të shenjta, profetin tonë dhe udhëheqësit tanë politikë dhe mënyrën tonë të jetës”, shkruante Altun në Twitter.
Ai gjithashtu e krahasoi trajtimin e myslimanëve në Europë me “demonizimin e hebrenjve evropianë në vitet 1920”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje