Futboll

Dhimbje dhe gëzime, Kumbulla një luftëtar që nuk dorëzohet kurrë

Personazhi i momentit te Roma është pa dyshim Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, autor i 2 golave në 2 ndeshjet e fundit. “Gazzetta dello Sport”, gazeta prestigjioze italiane, e quan një luftëtar që nuk dorëzohet kurrë dhe vlerëson pjekurinë e 20-vjeçarit me origjinë nga Shkodra. Ja artikulli i plotë:

Artikulli i “Gazzetta dello Sport” për Kumbullën. Gazeta Si, 27 tetor 2020

Një vit më parë, Marash Kumbulla e kuptoi se sa e komplikuar është Seria A, në 7 ndeshje kishte shënuar një gol dhe kishte marrë një karton të kuq. Dhe sapo kishte nisur të shfaqej në botën e të mëdhenjve. Sot ka kuptuar edhe sa i komplikuar është kalimi nga një qytet i vogël si Verona në një metropol si Roma, edhe pse po e kalon në mënyrën më të mirë.

Në fushë nuk e humb toruan edhe kur gabon, siç ishte rasti i golit të Ibrahimoviçit. Vazhdon të luajë me siguri, duke i sistemuar gjërat me kalimin e minutave. Jashtë fushe ka zgjedhur të mos humbë kohë mes thashethemeve dhe trafikut, ndaj dhe ka marrë një shtëpi 5 minuta larg Trigorias, qendrës stërvitore të Romës. Nuk ka radhë për në stërvitje dhe nuk ka radhë për t’u kthyer në shtëpi. Në moshën 20-vjeçare, për të ka rëndësi vetëm futbolli.

Kumbulla në dyluftim me Ibrahimoviç. Gazeta Si, 27 tetor 2020

Dhe faktet janë në anën e tij, duke qenë se i ka dhënë 3 pikë Romës, 2 në Ligën e Europës ndaj Jang Bojs dhe 1 ndaj Milanit në kampionat. Dy gola në pesë ndeshje janë një nisje e mirë për mbrojtësin që po i pëlqen gjithmonë e më shumë të shkojë në zonën kundërshtare. Dhe tetori është muaji i tij i preferuar, një vit më parë ka debutuar me Kombëtaren dhe pak javë më parë luajti si titullar me Shqipërinë. Tre gola, 1 me Veronën dhe 2 me Romën, i ka shënuar pikërisht në këtë muaj.

Dhe tani Kumbulla nuk do të ndalet. E di mirë se me kthimin e Smolling, ai, Mançini dhe Ibanez do të konkurrojnë për dy fanella, por di edhe që anglezi nuk mund të luajë gjithmonë. Për këtë arsye synon të vazhdojë në këtë rrugë, duke eliminuar ndonjë defekt në mbrojtje dhe prania e Smolling mund ta ndihmojë në këtë drejtim.

Edhe pse është vetëm 20 vjeç, ai duket shumë i matur, siç e tregon edhe autokritika pas ndeshjes me Milanin: “Mund të përmirësohem në gjithçka dhe shumë madje. Bëra një gabim që mund ta evitoja, por për fat të mirë e shleva me atë gol”. Gol që e fut Kumbullën në 4 mbrojtësit e lindur pas 2000-ës që kanë shënuar në 5 kampionatet më të fortë të Europës këtë sezon. Vështirë që lojtari shqiptar ta ketë imagjinuar një vit më parë, kur luante ndeshjet e para me Veronës, se gjithçka do të ndodhte kaq shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë