Debati mes Partisë Demokratike dhe qeverisë ka zbritur në terren. Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se 6 muaj më parë shkolla “Sami Frashëri”, u shemb pa projekt dhe tender.
Tabaku përgënjeshtroi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj kur tha se shkolla “Sami Frashëri” do të jetë e para që do të përfitojë nga grantet e qeverisë të fituara në Bruksel për bashkinë e Tiranës.
Përmes një postimi në Facebook, Tabaku nënvizon se kjo shklollë nuk do të ndërtohet nga fondet e BE-së, por nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Por ajo që bën përshtypje në postimin e saj është vlera e shkollës, që sipas saj, kap vlerën e 4.5 milion eurove.
“Kjo shkollë nuk ndërtohet nga fondet e Bashkimit Europian por nga paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe të Shqipërisë. Ky është një fakt që vërtetohet si nga dokumentet e Bashkimit Europian dhe të UNDP-së, por njëkohësisht dhe nga tabela që është shfaqur vetëm dje në hyrje të shkollës.
Vlera e kësaj shkolle pritet që të jetë rreth 4.5 milion euro ndërkohë që shkollat e ngjashme me fondet e Bashkimit ndërtohen vetëm me 700 mijë euro”, shkruan ajo.
Një qëndrim që sa duket ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama. Në një postim në Facebook, Rama duke e shoqëruar edhe me një video, ku shfaqet Veliaj që raporton punimet e shkollës.
“Dy herë më i madh, pakrahasimisht më i bukur e patjetër shumë më i fortë, në të njëjtin vend ku u arsimuan gjenerata të tëra, gjimnazi “Sami Frashëri” do të jetë emblema e Rilindjes pas Rrënimit të 26 nëntorit, me 49 klasa, 8 laboratorë, bibliotekë, mjedise të përbashkëta, palestra, fusha të jashtme sportive…”, riposton Rama qëndrimin dhe videon e hedhur nga Erion Veliaj ku fillim e mbarim flitet për një shkollë me shkallë deri me postiqe apo zyrë recepsioni e ndriçim të fokusuar.
Me pak fjalë një shkollë e fryrë me shpenzime edhe të panevojshme, por që as Veliaj, Ahmetaj, Manastirliu që ishin aty në fillimin e punimeve, e as vetë Edi Rama në ripostimin e tij nuk u përfshinë tek shpenzimet, një detaj në fakt thelbësor në kohë pandemie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje