Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi se nga fondi i parashikuar prej 34 miliardë lekësh, ose rreth 300 milionë euro për të financuar procesin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit të thuajse një viti më parë, janë alokuar 32 mld lek, ose rreth 275 mln euro.
“Sot kemi 34 miliardë lekë, ose rreth 340 mln euro nga të cilat janë alokuar 32 miliardë në 4 programe. Kemi 28 miliardë lekë, ose 280 milion dollarë në 2021 dhe në 2022 është edhe një 6 miliardë, apo 6 milionë dollarë. Kemi katër njësi zbatuese. Këto kryejnë të gjitha procedurat, që nga vlerësimi te prokurimi dhe rindërtimi”, tha Ahmetaj.
Por, shifrat e bëra publike nga ministri i Rindërtimit në interpelancën e thirrur në Kuvend nga deputeti Halit Valteri janë kundërshtuar nga ana e Partisë Demokratike. Opozita thotë se të dhënat e deklaruara nga ministri në Kuvend nuk përputhen me shifrat paraprake të pasqyruara tek treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar 2020 të publikuara nga Ministria e Financave.

Shefi i kabinetit të Partisë Demokratike, Dorian Teliti thotë se sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Financave, deri në muajin shtator të këtij viti, fondet e alokuara për procesin e rindërtimit janë zero.
Ai thotë se shifrat janë pjesë e propagandës së Qeverisë, ndërsa realiteti është krejt tjetër.
“Deri më 31 shtator, sipas raportimeve zyrtare të vetë qeverisë shqiptare, asnjë qindarkë nuk është paguar nga Thesari i Shtetit për rindërtimin. Asnjë qindarkë për rindërtimin, por miliona e miliona euro për inceneratorët”, tha Teliti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje