Politike

“Jo”-ja holandeze, Rama: Vendim elektoral, shqiptarët po përdoren si gogol

Kryeministri Edi Rama është i bindur se “Jo”-ja holandeze për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE për negociatat lidhet drejtpërdrejtë me çështje të brendshme të Holandës.

“Unë nuk e pranoj dot që Holanda është më e vëmendshme ndaj plotësimit të kushteve se Suedia, Danimarka, Gjermania”, deklaroi Rama këtë të martë në një konferencë për shtyp.

Por, përse Shqipëria bllokohet dhe Maqedonisë së Veriut i hapet dera?

“Është pak e komplikuar, por unë nuk mund ta komentoj publikisht. Në vendimin e Holandës ndikon situata e brendshme, përveçse ka qenë gjithmonë skeptike”, vijoi ai.

Rama tha se prej vitesh shqiptarët po përdoren në luftën politike të brendshme holandez.

“Prej sa kohësh shqiptarët përdorën si gogol në Holandë, me artikuj që flitet për banda shqiptare të shpartalluara dhe pastaj kur lexon përbërjen e bandës janë 2 shqiptarë dhe pastaj 12 të tjerë. Është vendim politik, elektoral sepse Holanda ka zgjedhje në mars të vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Megjithatë, në fund kreu i Qeverisë kërkoi që të mos humbet shpresa, pasi sipas tij çdo gjë mund të ndryshojë deri në vendimmarrjen përfundimtare.

Kryeministri Edi Rama shmangu komentin mbi kandidatët për Presidentë në zgjedhjet që po mbahen këtë të martë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe nga sa veproi katër vite më parë. Kreu i Qeverisë u pyet nëse kishte një kandidat të preferuar prej tij mes Donald Trump dhe Joe Biden. Ai e anashkaloi përgjigjen e drejtpërdrejtë dhe e shfrytëzoi atë për të “thumbuar” opozitën.

“Mes Lulit dhe Monikës e them pa asnjë ngurrim që më pëlqen Luli, por mos më çoni në SHBA të bëj parapëlqime për të dy, kjo nuk shkon, aq më tepër që të dy kandidatët i kam miq”, tha Rama.

Rindërtimi

Konferenca ishte thirrur për procesin e rindërtimit dhe ndikimit që ky proces do të ketë në ekonominë e vendit, të goditur dyfish edhe nga pandemia e koronavirusit. Rama tha se brenda muajit mars objektivi i Qeverisë është rindërtimi i 2500 shtëpive individuale të financuara plotësisht nga buxheti i shtetit.

“Brenda marsit besojmë të kemi mbi 2500 banesa individuale të financuara nga buxheti i shtetit me rreth 60 mln dollarë. Për pallatet e kemi thënë që procesi është më kompleks. Janë 16 zona në total ku do të ndërtohen 4800 apartamente me 160 mln dollarë po nga buxheti i shtetit”, deklaroi ai.

Kryeministri u shpreh se ka përfunduar procesi i hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa kërkoi durim për lëvrimin e fondeve të tjera të premtuara nga konferenca e donatorëve e mbajtur më 17 shkurt në Bruksel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë