Bota

Tre policë që luftuan në Vjenë kundër terroristëve ishin nga Kosova

Tre policë që luftuan dje me terroristët në Vjenë ishin shqiptarë nga Kosova. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla sot në Berlin, para takimit me Ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.

Ajo theksoi se Adem Demiri, polic me origjinë nga Kosova ishte ai që arrestoi një nga terroristët në Vjenë.

“Kosova dënon njëzëri sulmet e natës së shkuar në Vienë”, deklaroi ajo. Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara por do të doja të nenvijëzoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje.Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqiptarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirë integruar në Vienë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak. Le të reflektojmë mbi këtë dëshmi të mirë integrimit të qytetarëve tanë dhe faktit se Kosova qëndron përkrah aleatëve tanë në luftën kundër ISIS dhe terrorizmit”, theksoi ministrja.

Deklarata e saj vjen pas lajmit se agresori i vrarë në gjashtë sulmet e kombinuara terroriste që tronditën mbrëmë Vjenën ishte me origjinë nga Tetova.

Lajmi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i vendit, Karl Nehammer. Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, sipas Nehammer -it ishte një mbështetës i grupit terrorist, Shteti Islamik. Ai ishte dënuar me 22 muaj burg më 25 prill 2019, pasi kishte tentuar të udhëtonte drejt Sirisë për t’iu bashkuar ISIS-it.

Edhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj ka njoftuar se mbesa e tij është njëra nga policet që luftuan me terroristët.

“Krenar me mbesën time Doruntina Miroci, e cila ka luftuar përkrah policisë austriake kundër sulmeve të tmerrshme terroriste në Vienë. Bashkë mund të qëndrojmë të fortë”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërkohë numri i viktimave të sulmit të kryer mbrëmjen e të hënës është rritur, duke shkuar në pesë, ndërsa 17 janë të plagosurit, prej të cilëve të paktën gjashtë janë në gjendje të rëndë.

Më shumë se 250 janë pjesëtarët e forcave speciale austriake të angazhuar në operacionin e kërkimit, pas atentatit që ka mbjellë panik në kryeqytetin austriak. Sipas policisë, një nga agresorët, që mund të kenë qenë të paktën katër, është në kërkim. Ndërsa i riu me origjinë nga Maqedonia e Veriut, që u vra nga policia ishte i pajisur me një brez fals eksplozivi, një armë automatike dhe një armë dore, si edhe një thikë.

Agresorët hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme në qendër të Vjenës, mbrëmjen e të hënës. Por nuk është e qartë nëse ajo ishte shënjestra. Ministria e Brendshme u ka kërkuar njerëzve të evitojnë qendrën e Vjenës dhe i ka këshilluar prindërit që t’i mbajnë fëmijët në shtëpi të martën nëse munden.

Gjithçka ndodhi disa orë para se në Austri të hynin në fuqi kufizimet e reja në shkallë kombëtare në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Ishin të shumtë vjenezët në bare dhe restorante para ndalimqarkullimit gjatë natës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë