Futboll

Nis sot kampionati rebel i Superiores mes shumë të panjohurash

Data 4 nëntor duhej të përkonte me fundin e fazës së parë të Superiores, por sot në fakt është dita e startit të një kampionati rebel… Futbolli ngriti krye ndaj qeverisë, duke kërkuar plotësimin e 4 kërkesave, që sipas Ligës dhe FSHF-së, janë të domosdoshme për ekzistencën e tij. Liga Profesioniste kërkoi bojkotin e garës dhe FSHF-ja e aprovoi, çka solli shtyrjen për dy muaj të aktivitetit. Qeverisë nuk i pëlqeu aspak presioni i futbollit, Liga këmbënguli dhe pak ditë më parë u arrit një lloj akordi.

Pa hyrë në detajet se cila palë u dorëzua në këtë përplasje, fakt është që gara nis sot në të tria kategoritë e futbollit shqiptar, pasi edhe ato inferiore, edhe pse nuk janë pjesë e Ligës, në mënyrë absurde nuk e nisën aktivitetin. Vëmendja sigurisht është te kampionati elitar, që vjen me shumë të panjohura: lëvizje trajnerësh, afrime dhe largime lojtarësh, merkato të bllokuara dhe pretendentë që duan të rrëzojnë Tiranën nga froni i kampionit.

Le t’i marrim me radhë 10 skuadrat e Superiores, ku sot debutojnë 5 trajnerë të rinj dhe 2 prej tyre të huaj që kanë eksperiencën e parë në Shqipëri, Tomas Bërdariç te Vllaznia dhe Xhovani Kolela tek Apolonia.

Tirana – Kampionët në fuqi kanë bërë shumë lëvizje në skuadër gjatë merkatos së verës. Tirana ka humbur sulmuesin kryesor Majkëll Ngo, mbrojtësin e qendrës Gentian Muça dhe kapitenin Erando Karabeci. Janë bërë afrime në krahun tjetër, ku veçohen dy maqedonasit Toshevski dhe Najdovski, por duket se skuadra bardheblu do ta ketë të vështirë ta ruajë kurorën. Kanë ardhur në fundin e merkatos edhe një kontigjent afrikanësh, për të cilët gjykimin do ta japë kampionati. E nis garën ndaj një rivali si Kukësi. Trajner: Emanuel Egbo (i konfirmuar)

Trajneri Ilir Daja prezantohet te Partizani nga drejtori Olsi Rama. Gazeta Si, 4 nëntor 2020

Partizani – Goditja e madhe e Partizanit këtë verë ishte trajneri Ilir Daja, por vetëm kaq, sepse të kuqve iu bllokua merkatoja nga FIFA për shkak të një gjyqi me çështjen “Çinari”. Trajnerin kryeqytetas e ka përndjekur fati i keq, ashtu si te Flamurtari dhe Skënderbeu, që kanë pasur probleme sezonet e fundit, megjithatë Daja ia ka dalë t’i mbajë në nivele të larta. Edhe në krye të Partizanit pritet të bëjë të njëjtën gjë, por vështirë të flitet për titull, pasi nuk u bë asnjë afrim dhe për më tepër janë larguar disa lojtarë me peshë si Trashi dhe Telushi. Trajner: Ilir Daja (i ri)

Kukësi – Për një moment u duk se skuadra veriore u shpërbë, shumë titullarë u larguan dhe trajneri i ri, Skënder Gega, u vu në vështirësi, por shpejt Kukësi u kompletua, madje duke afruar emra të njohur si Agim Ibrahimi, Gjelbri Taipi, Besir Demiri e të tjerë. Tani mbetet për t’ua parë sa është konsoliduar grupi, pasi lëvizjet kanë qenë të shumta në hyrje dhe në dalje. Gjithsesi, Kukësi mendohet të jetë ndër pretendentët për titull. Trajner: Skënder Gega (i ri)

Laçi – Nga shumë specialist konsiderohet si anti-Tirana, pra rivali kryesor për titull. Laçi ishte një nga skuadrat shqiptare që bëri përfaqësimin më të mirë në Kupat e Europës, duke kaluar një tur, por mbi të gjitha duke bindur me lojë. Kurbinasit janë rritur, pasi kanë ruajtur thuajse gjithë grupin e sezonit të fundit dhe kanë bërë disa afrime të goditura si Musta dhe Obanor. Trajner: Armando Cungu (i konfirmuar)

Teuta – Ndoshta është një hap prapa Laçit, por edhe skuadra durrsake mendohet të jetë një rivale e denjë për të luftuar për titullin kampion. Me afrimin e disa elementëve të rëndësishëm, si Krasniqi dhe Bregu, të cilët i shtohen ekipit të vjetshëm, Teuta duket se është një nga forcat kryesore të kampionatit. Trajner: Edi Martini (i konfirmuar)

Stafi i ri i Vllaznisë, me trajner Tomas Bërdariç dhe drejtor sportiv Matko Djarmati. Gazeta Si, 4 nëntor 2020

Vllaznia – Një revolucion i vërtetë ka ndodhur në skuadrën shkodrane, që e ka nisur ndryshimin nga stafi drejtues, e për të vazhduar me atë teknik, ku në stol është ulur kroato-gjermani Tomas Bërdariç. Një numër rekord afrimesh është bërë në radhët e kuqebluve, por përgjithësisht bëhet fjalë për lojtarë mesatarë dhe disa të tjerë të panjohur për futbollin shqiptar, nivelin e të cilëve do ta zbulojë kampionati. Bashkia i ka hapur rrugën privatizimit të klubit dhe ky është lajmi më i mirë për Vllazninë. Sponsori Alban Xhaferi ia ka besuar çelësat e skuadrës kroatit Matko Djarmati dhe trajnerit Bërdariç. Trajner: Tomas Bërdariç (i ri)

Skënderbeu – Lojtarët e mbetur nga formacioni i sezonit të kaluar numërohen me gishtat e njërës dorë. Mjafton të përmendet fakti se shiriti i kapitenit ka kaluar në krahun e mbrojtësit të djathtë Jorgo Meksi. “Artileria e rëndë” ka ikur e gjitha, megjithatë kanë ardhur lojtarë me përvojë si Bicaj dhe Qaqi, por edhe elementë interesantë si vlonjati Rapaj dhe disa të huaj. Vendin e Dajës në stol e ka marrë Julian Ahmataj. Korçarët vazhdojnë të vuajnë dënimin 10-vjeçar nga Kupat e Europës, madje këtë verë në momentet e fundit arritën ta zhbllokonin merkaton, që ishte bllokuar nga disa borxhe të vjetra. Trajner: Julian Ahmataj (i ri)

Bylis – Ekipi që sezonin e kaluar surprizoi me ecurinë e tij, duke qëndruar për pjesën më të madhe të kampionatit në vendet e para, ka humbur gjatë merkatos së verës lojtarët me më shumë përvojë, si Hidi, Bicaj, Goxhaj dhe ndonjë tjetër. Ballshiotët kanë afruar lojtarë kryesisht të rinj në moshë, të cilët synojnë t’i afirmojnë dhe t’i shesin. Trajner: Veljko Dovedan (i konfirmuar)

Apolonia – Vjen si “hirushe” në Superiore. Fierakët fituan titullin kampion në Kategorinë e Parë sezonin që shkoi, por elita është tjetër muzikë. Apolonia mbështetet te akademia e saj, duke promovuar lojtarë të rinj, ndaj dhe ka ruajtur grupin dhe e ka përforcuar atë me disa elementë me përvojë. I habitshëm ishte largimi i trajnerit kampion Artan Mërgjyshi, i zëvendësuar nga italiani Kolela. Basti i kësaj skuadre është për të mos qenë thjesht kalimtare në Superiore, siç ka ndodhur më parë. Trajner: Xhovani Kolela (i ri)

Kastrioti – Rikthehet vetëm pas një sezoni mungesë ekipi krutan në nivelin elitar. Nuk është se ka bërë bujë në merkato të bujshme, por disa afrime të rëndësishme i ka bërë edhe Kastrioti, që synon të lërë gjurmë dhe të sigurojë qëndrimin në Superiore. Trajner: Ramadan Ndreu (i konfirmuar)

Java e parë
Në javën e parë të Superiores spikat Tirana-Kukësi, që luhet në stadiumin e Korçës, pasi në këtë moment ka shumë probleme me fushat, ku është rimbjellë bari. Partizani luan me Kastriotin në Kamzë, Teuta pret Skënderbeun, Laçi shkon në Ballsh për t’u ndeshur me Bylisin dhe Apolonia e luan ndeshjen e parë në Shkodër ndaj Vllaznisë.

Java e parë
Ora, 13:45
Tirana-Kukësi
Bylis-Laçi
Kastrioti-Partizani
Ora 16:45
Teuta-Skënderbeu
Vllaznia-Apolonia


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë