Futboll

Vllaznia buzëqesh në start, gafa e portierit ndëshkon Teutën

Java e parë e Superiores u mbyll me ndeshjet Vllaznia-Apolonia 2-0 dhe Teuta-Skënderbeu 1-1, ku një gjysmë surprize e kanë bërë korçarët me pikën e marrë në stadiumin “Niko Dovana”. Shkodranët kanë marrë 3 pikët e para, duke i bërë një nisje të mirë kampionatit, edhe pse me shumë fat.

Sfidën e dy trajnerëve të huaj në “Loro Boriçi” e ka fituar ai i Vllaznisë, Tomas Bërdariç, i cili ka triumfuar përballë Apolonisë së drejtuar nga italiani Xhovani Kolela. Ndeshja u zhbllokua në pjesën e dytë nga Dilaver, të cilit iu përplas topi në këmbë në zhvillimet e një goditjeje nga këndi. Golin e sigurisë për shkodranët e shënoi Dunga, edhe ky lojtar i ri në radhët e Vllaznisë, që premton për një sezon pozitiv pas kësaj nisjeje të mbarë.

Çast nga ndeshja Teuta-Skënderbeu, 1-1. Gazeta Si, 4 nëntor 2020

Teuta, një skuadër pretendente këtë kampionat, nuk shkoi më shumë se barazimi ndaj Skënderbeut që ka një përbërje krejt ndryshe, larg asaj të sezoneve të fundit. Durrsakët e gjetën golin shumë shpejt me Rubin Hebajn, i cili devijoi me kokë një top të krosuar nga këndi. Gjithçka u komplikua për Teutën nga një gafë e portierit Frashëri, i cili goditi një shok skuadre në tentativë për të larguar topin, duke i dhënë mundësinë e barazimit Meksit. Barazimi është një rezultat që kënaq ekipin korçar, ndërsa Teuta “qan” dy pikët e humbura.

Renditjen e kryesojnë Tirana, Vllaznia dhe Kastrioti, që kanë shënuar nga 2 gola në ndeshjet e sotme dhe kanë marrë tri pikët e para. Zhgënjimet më të mëdha në startin e Superiores ishin Partizani, Kukësi dhe Teuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë