Politike

PD akuzon kryeprokurorin Çela: Po pengon dekriminalizimin

Gazeta Si, Olsian Çela

Partia Demokratike akuzon se procesi i verifikimit të denoncimeve të saj në lidhje me dy kryebashkiakë socialistë të dalë nga zgjedhjet e kontestuara të 30 qershorit të vitit të kaluar po pengohet.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.

PD i kërkoi prokurorisë të verifikojë të dhënat për të kaluarën kriminale të kryebashkiakëve të Vaut të Dejës dhe të Mallakastrës, përkatesisht Mark Babanit dhe Qerim Ismailajt. Pas një viti, opozita thotë se nga prokuroria nuk ka akoma një përgjigje. PD deklaron se afati 3-mujor për përgjigjen është zgjatur me kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, të cilin e konsideron si përgjegjës për zvarritjen dhe pengimin e Ligjit të Dekriminalizimit.

“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka refuzuar në vijimësi të bëjë transparencë dhe të përcjellë informacion zyrtar mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës së miratimit të rezultateve të verifikimit. Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publikë është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit”, thuhet në letrën që Bardhi i dërgon kryeprokurorit, Olsian Çela.

Në letër renditen tre kërkesa që kanë të bëjnë me dhënien e informacionit për ecurinë e verifikimit, arsyet e vonesës 1-vjeçare dhe përfundimin e verifikimit sipas frymës së ligjit të dekriminalizimit, që ka për qëllim të largojë personat me të kaluar kriminale, duke u ndaluar atyre emërimet, ose zgjedhjen në poste drejtuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë