Një delegacion i Federatës Kosovare të Futbollit, i kryesuar nga presidenti Agim Ademi, ka vizituar sot ambientet e “Air Albania Stadium”. Ata janë pritur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe drejtues të tjerë të kësaj federate. Pas takimit, dy presidentët kanë folur për projektet e bashkëpunimin në të ardhmen dhe vëllazëroren që do të luhet më 11 nëntor.
“Kemi pritur sot presidentin e Federatës së Kosovës dhe anëtarët e saj në ambientet e stadiumit. Ishte një vizitë e programuar, megjithëse kjo nuk është një ditë shumë e bukur për ne shqiptarët, pas ngjarjeve që kanë ndodhur për disa nga drejtuesit e UÇK-së, të cilët kanë shkuar në Hagë.
Kemi shkëmbyer eksperienca, kemi projekte dhe programe të nivelit menaxherial, pra për bashkëpunimin e menaxhimit të 2 federatave, përgatitjes së trajnerëve dhe arbitrave. Projekti kryesor ishte organizimi i një kupe të përbashkët, që nuk u kurorëzua për arsye të Covid-it. Është objektiv që do ta realizojmë vitet në vazhdim.

Vëllazërorja që do të zhvillojmë më 11 nëntor do t’u shërbejë dy stafeve teknike dhe futbollistëve para ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Futbolli është lojë dhe gjithkush ka dëshirë të fitojë. Tifozët? Kemi marrë përgjigje negative, sepse duke parë nivelin në rritje të rasteve me Covid është e vështirë. Uroj që në ditë të mira të kemi 20-30% të kapacitetit të tifozëve. Gjatë kësaj jave nuk kemi pasur gjë konkrete nga qeveria, por shpresoj që brenda vitit të kemi realizuar kërkesat tona”, – theksoi presidenti Duka mes të tjerash.
Presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, ka vlerësuar kontributin e FSHF-së dhe presidentit Duka për njohjen e Kosovës nga organizmat ndërkombëtare. Ai ka folur gjithashtu me entuziazëm për iniciativat e dy federatave dhe bashkëpunimin mes tyre në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje