Politike

Edhe Gjermania, Franca, Danimarka e Spanja kundër negociatave

Edhe pse ka dalë haptazi deri më tani kundër mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, Holanda duket të jetë vetëm një nga vendet që kudërshtojnë hapjen e kapitujve të anëtarësimit në Bashkimit Europian më vendin.

Sipas raporteve të mediave, pesë shtete anëtare janë të mendimit se Shqipëria nuk ka përmbushur parakushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, duke kërkuar sërish shtyrjen e saj.  Këto vende janë Holanda, Danimarka, Gjermania, Spanja dhe Franca, shkojnë përtej vlerësimit të Komisionit Europian për mosplotësimin e dy parakushteve lidhur me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Ligjin për Median.

Këto vende, përfshirë edhe fuqitë kryesore të BE-së thonë se kanë një vlerësim më realist se Komisioni Europian për reformat kyçe në Shqipëri dhe, se për mbajtjen e konferencës e parë ndërqeveritare duhet të plotësohen të gjitha parakushtet.

Pikat që kërkojnë më tej të zbatohen, 5 shtetet në fjalë:

– Respektimi i opinionit të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese në kodin zgjedhor.

– Garantimi i transparencës së financimt të partive politike, për të cilën ka vetëm një udhërrëfyes, por jo një plan zbatimi.

– Gjermania, Franca, Danimarka, Holanda dhe Spanja janë dakord me Komisionin Evropian, se kushti për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese nuk është përmbushur. Por ato bëjnë dallimin për Gjykatën e Lartë, duke cilësuar se Gjykata e lartë me 3 nga 19 gjyqtarë nuk mund të konsiderohet si funksionale.

– Edhe pse mirëpritet ngritja e SPAK, vihet theksi tek mungesa e një gjurme provash për hetime, ndjekjeve penale dhe dënime të zyrtarëve të lartë.

– Vlerësohet se për BKH nuk ka asnjë tjetër emërim përveç drejtorit dhe se është e rëndësishme që të zhvillohen rekrutimet e mëtejme, në mënyrë që kjo strukturë të jetë plotësisht funksionale.

– Mbështetet vlerësimin i Komisionit Evropian lidhur me ligjin për median ndërsa kërkohet përparimi në fushën e lirisë së shprehjes nëpërmjet ndjekjes së rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

– Kërkohet vijimi i zbatimit të planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar dhe bashkëpunimin me autoritetet përkatëse të vendeve anëtare.

– Vihet në pah po ashtu se numri i përgjithshëm i kërkesave të azilit, edhe pse është ulur mbetet i lartë dhe nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga autoritetet shqiptare.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani ishte i pari që sinjalizoi disa ditë më parë së mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë do të ishte e vështirë.

Kreu i diplomacisë  maqedonase deklaroi se ka ardhur koha që rruga europiane e Shkupit dhe Tiranës të ndahej.

Osmani sqaroi se ecuria në bllok vlente deri tani, pasi në vijim kapitujt do hapen në varësi të planeve që do të bëhen, kështu që mbledhja e parë ndër-qeveritare nuk mund të jetë e njëjtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Tashmë parimisht, edhe pse Bashkimi Eropian ka imponuar ose duhet të kishte imponuar parimin e Regatës, që do të thotë se secili vend lëviz me shpejtësinë që e imponon vetë.  Është si ajo cështja e anijeve, ajo që lëviz e para, do të mbërrijë në cak e para Ne në njëfarë mënyrë u bëmë grupi i dytë me Shqipërinë dhe kjo ka qenë e rëndësishme deri në fillimin e bisedimeve dhe mendoj që u bë mirë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan bashkë për shkak se ndarja e këtij grupi pastaj do të formonte grupe të tjera, tre, tre, tre, në vend se 2, 2, 2, që pastaj mund të kishte konotacione të tjera gjeo-politike që mund të keqpërdoreshin më tutje”, tha ai. “Por kjo sic e thashë vlente deri në momentin kur u mor vendimi për fillimin e bisedimeve. Tani kapitujt do hapen varësisht prej planeve që do të bëhen, kështu që mbledhja e parë ndër-qeveritare nuk mund të jetë e njëjta me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”  tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë