Politike

Franca do të kërkojë ashpërsimin e Shengenit

Franca do t’i rikthehet një propozimi të bërë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian në 2019, sipas të cilit kërkohet përforcimi i kontrolleve dhe rregullave të lëvizjes së lirë për vendet joanëtare të Bashkimit Europian.

Deklarata është bërë nga Presidenti francez, Emmanuel Macron. Ai vizitoi një pikë kufitare në zonën e Pireneut në kufi me Spanjë, ku deklaroi se vetë Franca do të dyfishojë rojet kufitare. Qëllimi, sipas tij është që të kufizohet lëvizja e emigrantëve ilegalë dhe shmangia në të ardhmen e sulmeve terroriste.

Macron ka propozuar që Bashkimi Europian të ketë një agjenci të përbashkët të mbrojtjes kufitare dhe unifikim të rregullave të azilkërkimit në të gjitha vendet e unionit.

“Në këta kufij duhet të ketë një polici të mirëfilltë. Sulmet që ka përjetuar Franca dhe Austria para pak ditësh tregojnë se rreziku nga terrorizmi ekziston kudo dhe se ka rrjete të globalizuara. Kjo kërkon që Europa të intensifikojë reagimin e saj. Franca po e bën këtë, duke i dyfishuar kapacitete ekzistuese”, tha Macron.

Presidenti francez paralajmëroi se propozimet për ndryshimet e rregullave të Shengenit do t’i parashtrojë më me detaje gjatë samitit të radhës të vendeve anëtare të BE-së, që këtë vit është parashikuar të mbahet në dhjetor.

Në 2019, Macron propozoi polici të përbashkët kufitare, një agjenci europiane që do të shqyrtonte dhe vendoste për çështjet e azilit dhe kushte më të rrepta lëvizjeje dhe kontrolli. Për momentin nuk mund të thuhet nëse bëhet fjalë për të njëjtin propozim, por nuk përjashtohet mundësia që ideja franceze të mund të cenojë regjimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të vendeve të treta, siç është edhe Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë