Politike

Bullgaria “shpëton” Shqipërinë, del kundër Maqedonisë për negociatat

Pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm maqedonas Bujar Osmani tha se mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë do të ishte e vështirë dhe se ka ardhur koha që rruga europiane e Shkupit dhe Tiranës të ndahej.

Osmani sqaroi se ecuria në bllok vlente deri tani, pasi në vijim kapitujt do hapen në varësi të planeve që do të bëhen, kështu që mbledhja e parë ndër-qeveritare nuk mund të jetë e njëjtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Qëndrimi i Osmanit u përvijua nga disa raportime mediash në bllok se për Shqipërinë nuk ishe dakord jo vetëm Holanda por edhe Danimarka, Gjermania, Spanja dhe Franca.

Ndërsa për Tiranën zyrtare nuk kishte ende një datë, për Maqedoninë e Veriut korniza e bisedimeve me BE  ishte parashikuar me 17 nëntor.

Avancimi i Maqedonisë së Veriut duke mos trajtuar veças nga Shqipëria do të ishte një minus i madh në kohë për vendin, nisur edhe nga  telashet e tjera që BE ka sot.

Por në një kohë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po negociojnë me “të mëdhenjtë”, ajo që nuk ishte e parashikuar  për vendin fqinj ka qenë një deklaratë zyrtare e Bullgarisë.

Bullgaria ka njoftuar Komisionin Evropian se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut, që nënkuptonte nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, përmes një letre dërguar KE-së, ka thënë se korniza negociuese nuk i siguron garancitë e nevojshme për përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bullgaria.

Shteti bullgar kërkon që Maqedonia e Veriut të deklarojë se emri i saj i ri nuk përfaqëson pretendime territoriale në rajonin gjeografik të saj, si dhe të mos kërkojë njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari, një deklaratë kjo që nuk është pritur mirë nga Maqedonia e Veriut duke e lënë edhe atë pezull dhe më shumë gjasë të mos shkëputet nga Shqipëria në dyzimin që ka sot BE-ja për t’i kaluar të dyja në bllok apo veç e veç për takimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë