Politike

Covid, Basha: Rama po shkatërron shëndetin e qytetarëve. Kryeministri: Po përhap panik

GazetaSi

Përplasjen në distancë të së dielës për Covid-in, Lulzim Basha dhe Edi Rama e përcollën edhe këtë të hënë. Duke iu referuar shifrave të infektimeve të reja të një dite më parë, Lulzim Basha shkroi në rrjetet sociale se situata është në kolaps.

“Dje kishim mbi 500 raste të reja të raportuara të koronavirusit në Shqipëri, numri rekord më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Çfarë bën Rama? Asgjë! Ai nuk ka asnjë plan. Spitalet janë në kolaps, të sëmurët dergjen në ambulanca. Rama ju merr shqiptarëve lekët e taksave, dhe në vend që t’i investojë në shëndetësi, jua jep miqve të vet”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së akuzon Kryeministrin se pasi shkaatërroi ekonominë po shkatërron edhe shëndetin e shqiptarëve dhe kërkoi largimin e tij.
“Pasi shkatërroi ekonominë, Rama po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Ai duhet të largohet. Bashkë do t’i fitojmë zgjedhjet, do ta ngremë ekonominë dhe do të sigurojmë ndihmë për çdo familje”, mbyll reagimin e tij, kreu i opozitës.

Rama hodhi poshtë akuzat. Kryeministri thotë se në Shqipëria situata nuk është as më e mirë, por as më e keqe se kudo në botë dhe se spitalet nuk janë në kolaps.

“Lulëzim është jo vetëm e kotë po edhe e ulët rrekja jote për ta bërë Covidin pjesë të frontit qesharak opozitar! Kjo luftë është e vështirë për çdo shtet, s’ka si të jetë e lehtë për Shqipërinë, por spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps siç predikon ti dhe lufta vazhdon papushim!”, reagoi Kryeministri.

Rama akuzoi rivalin e tij politik për përhapje paniku.

“Ti synon panikun dhe çoroditjen me dizinformimet e përditshme, por kjo sjellje mizerabël prej kalamai të llastuar që do me çdo kusht lodrën e vet, do të të kthehet mbrapsht si një shuplakë më shumë nga ky popull që nuk e bën dot për budalla, as ti, as Mona, as Likja e as Saliu!”, mbyll përgjigjen e tij, kreu i Qeverisë.

Rama, ashtu si një ditë më parë iu rikthye edhe roli të Lulzim Bashës gjatë hartimit të raporteve për të ashtuquajturat “krime të UÇK-së”. Kryeministri citon fjali nga një raport i organizatës ‘Human Right Ëatch”.

“Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin: “Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë”, thotë ai.

Basha iu kundërpërgjigj duke këmbëngulur tek përgjegjësia e Kryeministrit për situatën e krijuar nga Covid.

“Rama vazhdon cicërimat në vend që të bëjë detyrën. Shqipëria është në kulmin e infektimit ndërsa Rama është mbërthyer pas Instagramit. Po të shkulej nga Instagrami, do ta shihte sa e rëndë është gjendja. Të sëmurët, familjet dhe mjekët i ka braktisur pa asnjë ndiihmë. Rama shkatërroi ekonominë dhe tani po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Edhe sa shqiptarë duhet të humbin jetën për fajin e tij?”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë