Të bësh trajnerin e futbollit në Shqipëri është shumë e vështirë. Është një profesion me risk të lartë, sepse në vendin tonë pronarët e klubeve kanë shumë pak durim dhe marrin vendimin ekstrem përnjëherë. Këtë sezon duket se po thuhet “rekordi” në këtë drejtim, teksa pas dy javësh kampionat kemi dy trajnerë të larguar, Armando Cungu nga Laçi dhe Ndriçim Kashami nga Besa.
Është jashtë logjike që një trajneri t’i jepet vetëm dy javë kohë. Po ashtu, edhe absurde që nja trajner të largohet nga detyra pa pësuar asnjë humbje në këto dy javë, siç është rasti i Cungut te Laçi. Pas barazimit me Kastriotin, i dyti pas atij me Bylisin në transfertë, drejtuesit e klubit kurbinas kanë qenë shumë të pakënaqur dhe menjëherë është mësuar lajmi se trajneri Cungu është larguar. Një vendim i marrë në gjaknxehtësi e sipër, i pakonfirmuar zyrtarisht, por bashkëpunimi mes palëve duket i pamundur që të vazhdojë.
Me Armando Cungun në krye, Laçi bëri një kampionat shumë të mirë sezonin që shkoi, si dhe një përfaqësim shumë dinjitoz në Ligën e Europës, ku kaloi një tur. Për momentin nuk kanë dalë në skenë emra kandidatësh për të zëvendësuar trajnerin shkodran në stolin e ekipit kurbinas.

Edhe më absurd duket largimi i trajnerit Ndriçim Kashami nga Besa, që merr pjesë në Kategorinë e Parë. Pas dy javësh, skuadra kavajase ka 3 pikë, me një humbje dhe një fitore, por drejtuesit kanë bërë ndryshimin në stol, duke zgjedhur Artan Mërgjyshin si njeriun që mund ta çojë Besën në Superiore. Fakti që ky ndryshim është bërë vetëm pas 2 javësh kampionat dhe pas një fitoreje, lë të kuptohet se gjithçka ka qenë e menduar më parë.
Për pozicionin delikat të trajnerit të futbollit janë të njohura shprehjet: “trajneri është me valixhe në duar”, apo dhe “trajnerin e mbajnë në punë rezultatet”. Kështu ka ndodhur gjithmonë, por në Shqipëri “standardi” është pak më ndryshe, “valixhet” mund t’i marrësh ende pa i vendosur mirë në një vend, ndërkohë që edhe rezultatet nuk të mbajnë gjithmonë në punë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje