Lulzim Basha e interpretoi si vazhdimësi e propagandës 8-vjeçare të Edi Ramës videon e postuar një ditë më parë nga ana e Kryeministrit, ku shfaqet pamje nga spitali Covid 3.
Kreu i PD-së thotë se realiteti nuk janë pamjet e publikuara nga Rama, por radha e autoambulancave para spitalit infektiv.
“Siç ka bërë këto 8 vjet, Rama merret vetëm me propagandë. Po të kishte shpenzuar 10 për qind të kohës që kalon në Instagram për të bërë detyrën e Kryeministrit, sot nuk do të ishim në këtë gjendje. Ai e ka humbur kontrollin mbi pandeminë. Për faj të tij qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga Covid dhe infeksionet po rriten përditë”, shkruan kreu i PD-së.
Basha akuzon se qeveria nuk ka asnjë plan, se fsheh shifrat reale të viktimave dhe të të infektuarve dhe se spitalet janë të mbingarkuar. Basha akuzon gjithashtu se Qeveria nuk ka asnjë plan për të përballuar valën e dytë të infeksionit.
“Numri i testimeve është më i ulëti në Europë, njerëzit presin me javë për përgjigjen dhe fatura e barnave dhe trajtimit është e papërballueshme. Rama gënjen sepse nuk mori asnjë masë për t’u përballur me valën e dytë. Ai gënjen sepse edhe në kohë pandemie i çoi paratë e taksave të shqiptarëve për koncesione dhe tendera të miqve e tij. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve”, thotë Basha.
Veç shëndetësisë, në vlerësimin e kreut të Partisë Demokratike në kolaps është edhe ekonomia.
“Rama premtoi shëndetësi falas për shqiptarët. Ai gënjeu. OBSH raporton se 8% e familjeve shqiptare ranë në varfëri prej shpenzimeve të larta shëndetësore. Rama e ka humbur kontrollin mbi pandeminë. Shëndetësia dhe ekonomia janë në kolaps”, mbyll reagimin e tij Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje