Rusia shoi konfliktin disajavor mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno-Karabakh, enklavë armene brenda territorit azer, duke u bërë të dyja palëve të përfshira në këtë luftë një ofertë që nuk mund ta refuzonin.
Sipas mediave ruse, Moskës i ka sosur durimi me përpjekjet diplomatike për të bërë të dyja vendet që të arsyetonin e të cilat dështonin njëra pas tjetrës. Në vend të kësaj, Kremlini urdhëroi zhvendosjen në kufi të mijëra trupave ushtarake, që sipas të njëjtave burime, morën urdhër për të qenë në gatishmëri maksimale për të ndërhyrë.
Sapo trupat u bënë gati, Armenisë dhe Azerbajxhanit iu bë oferta: ose ndalni veprimet ushtarake, ose ndërhyjmë dhe i ndalim ne!.
Fill pas kësaj, Kryeministri armen, Nikol Pashinyan njoftoi përmes Facebook se kishte nënshkruar me Rusinë dhe Azerbajxhanin një marrëveshje “papërshkrueshmërisht të dhimbshme”. Pakti u nënshkrua pak orë pasi forcat azere morën kontrollin e qytetit Shusha, njohur si Shushi nga armenët. Ky është qyteti i dytë më i madh i Nagorno-Karabakh dhe pak kilometra nga Stepanakert, kryeqyteti i rajonit.
Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani do të ruajë kontrollin e territoreve të pushtuara. Pa u bërë një gjysmë ore nga ky njoftim i Kryeministri armen njerëzit u derdhën në rrugët e Jerevanit, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Protestuesit hynë në sallën e Parlamentit vendas dhe akuzuan Qeverinë dhe deputetët për tradhti. Në përpjekje për të qetësuar protestat, Kryeministri armen doli me një deklaratë, që në thelb e lë ende të hapur konfliktin me Azerbajxhanin.
“Kjo nuk është një fitore, por nuk është as një humbje. Nuk do ta quajmë veten asnjëherë humbës dhe ky do të jetë një fillim i ri në unitetin tonë kombëtar dhe rilindjen tonë”, tha Pashinyan.
Ndërkohë, në Baku pakti u prit me “shampanjë”. Presidenti azer, Ilham Aliyev e cilësoi marrëveshjen historik dhe se Armenia u detyrua që ta firmosë prej sukseseve ushtarake të ushtrisë azere. Nga Rusia, Presidenti rus, Vladimir Putin e vlerësoi paktin si një gur themeli për të gjetur një zgjidhje të përhershme të konfliktit mes dy ish-republikave sovjetike.
Rusia ka një marrëveshje mbrojtjeje dhe bashkëpunimi ushtarak dypalësh me Armeninë, ndërkohë që Azerbajxhani ka marrëveshje të ngjashme me Turqinë. Pakti i nënshkruar parashikon dërgimin e paqeruajtësve rusë dhe turq në Nagorno-Karabakh. Pas shpalljes së ujdisë, trupat e para ruse hynë në rajon.
Konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh u rindez në fund të muajit shtator. Luftimet besohet se i kanë marrë jetën të paktën 1 mijë personave deri më tani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje