Politike

Basha: Ekonomia në kolaps. Vendimi i parë që do të marr kur të jem në qeveri…

Kryetari i Partisë Demokratike ishte në Lushnje në një bashkëbisedim me qytetarët lidhur me situatën e pandemisë në vend.

Basha tha se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë mbajtur premtimet këto 7 vite.

“Ndër premtimet e pa mbajtura qëndron edhe premtimi për shëndetësi falas që më pacipësi e përsëriti edhe para disa ditësh ndërsa kaloi buxhetin e fundit të qeverisë së tij në ikje.

Shëndetësi falas!

Shëndetësi falas premtoi!

Shikoni ku jemi sot.

Sot u krahasua me Gjermaninë dhe me Francën. Ra me këmbët e tij brenda. Gjermania jep 24 përqind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP) kundër COVID dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, për të ndihmuar bizneset që po falimentojnë, për të mbajtur të hapura vendet e punës. Franca 23 përqind të GDP.

Po ky?

Sipas FMN-së më pak se 1 përqind, 0.89 përqind ka dhënë kundër COVID-it. Pse? Sepse lekët që ua merr shqiptarëve, paratë e taksave të shqiptarëve në vend që ti investojë tek shëndetësia, në vend që ti investojë për të ndihmuar familjet në nevojë, në vend që t’jua japë të papunëve dhe familjeve në nevojë të cilët në këtë periudhë pandemie janë shtuar e dyfishuar, këto para i transferon prapë tek miqtë e tij, tek mafia e plehrave”, – tha Basha gjatë takimit me qytetarët në Lushnjë.

Po çfarë do të bënte Lulzim Basha nëse sot do të ishte kryeministër?  

“ Përgjigja është fare e thjeshtë: Një qeveri dhe një kryeministër nuk gjykohet nga llafet as nga ajo që vesh apo zhvesh. Një kryeministër dhe një qeveri gjykohet nga çfarë bën me taksat e shqiptarëve. Çfarë bën me taksat që iu mbledh njerëzve, si i shpenzon lekët.

Ky e ka bërë të qartë. Edhe në kohën e pandemisë kur e gjithë bota është ngritur dhe paratë e buxhetit i çon për të trajtuar të sëmurët, për të testuar dhe parandaluar dhe për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit, për të pajisur spitalet, për të ndihmuar ekonominë, ky edhe në kohën e pandemisë vazhdon e vjedh. Madje e ka shtuar ritmin e vjedhjes, siç e shton çdo hajdut kur e di që është dita e fundit.

E pra ne nuk mund ta pranojmë kurrë këtë.

Vendimi i parë që do të marrim, vendimi i parë që do të marr është që shpenzimet e parave të shqiptarëve nuk do të shkojnë më për klientët e kryeministrit, nuk do të shkojnë më për grupet mafioze që kanë kapur ekonominë për fyti, nuk do të shkojnë për oligarkët që marrin 10 përqind të prodhimit të brendshëm bruto krahasuar me 3 përqind që është vendi i dytë më i lartë në Europë, por do të shkojnë drejtpërdrejtë tek njerëzit”.

Basha solli si shembull konkret zgjidhje planin me 5 pika të propozuar nga PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë