Politike

Pandemia -Një “përleshje” në mbrëmje mes presidencës, opozitës dhe kryeministit

Publikimi i disa pamjeve brenda spitalit Infektiv ku trajtohen pacientë të prekur nga koronavirusi nga kryeministri Edi Rama ka ndezur një sërë përplasjesh midis qeverisë, opozitës dhe presidencës.

“Nga vija e zjarrit, në brendinë e Spitalit Infektiv Covid 1, ku luftohet pa pushim për të mbrojtur e shpëtuar jetë”, shkruante Rama, një orë përpara publikimit të bilancit të 24 orëve të fundit, kur shënuan tetë viktima dhe 563 të infektuar.

Për presidentin Ilir Meta, kjo nuk është koha për propagandë por për masa emergjente, pasi të infektuarit po shtohen çdo ditë. Duke kërkuar rritet të buxhetit për sistemin shëndetësor, kreu i shtetit i bëri apel qeverisë që të ndalë koncesionet korruptive dhe të shtojë testimet si dhe spitalet COVID.

“Rimburso pacientët të cilët mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19! Rrit buxhetin për sistemin shëndetësor! Shto spitalet COVID”, shkruante Meta në një reagim në rrjetet sociale.  A e di ti sa paguan sot çdo shqiptar për mjekim dhe ilaçe për t’i shpëtuar COVID-19? A nuk ishe ti që ju premtove shëndetësinë falas Mjaft me koncensione dhe PPP korruptive! Mjaft me tendera sekrete për oligarkët!”, theksonte Meta.

Në një postim të dytë, Presidenti i Republikës, shprehej se në mungesë të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë, sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve.

“Në këto kushte, është tepër e domosdoshme të shtohet masivisht numri i testimeve, si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19. Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan koordinimi i qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitet e duhura. Thelbësore gjithashtu është vënia në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, shtimi i stafit mjekësor dhe atij mbështetës, si dhe planifikimi i buxhetit të duhur në ndihmë të tyre. I bëj thirrje Qeverisë të bëjë çdo përpjekje për rimbursimin e plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve”, shkruan më tej presidenti.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj presidentit Ilir Meta duke theksuar se kryetarja e LSI-së dhe kreu i PD-së, i kanë varur shpresat për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore.

“Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve!”- duke shtuar se rezultati do të shihet më 25 prill. “Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve!,  shkruan Rama në Twitter.

Reagimi i Ramës u pasua nga një reagim i Partisë Demokratike, e cila i ka cilësuar po ashtu pamjet brenda infektivit si propangandë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, thekson se e vërteta është se nuk ka staf mjekësor për të gjithë pacientët dhe se shqiptarët paguajnë milionat për shërim.

Rama nxorri sot një video-propagandë ku pretendon se gjithçka është në rregull në spitalet tona. Atëherë pse hidhen pacientët nga dritarja? Pse dergjen të sëmurët me orë nëpër ambulanca kur në spitale paska vend?”, pyet ai. Pse nuk ka staf mjekësor për të gjithë? Pse detyrohen shqiptarët të paguajnë miliona për trajtim në shtëpi? Rama, gënjeshtrat e tua nuk i beson askush”, përfundon Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë