Nuk ka asnjë dyshim që fushata ka filluar dhe se dy kandidatët kryesor që synojnë; njëri mandatin e tretë për kryeministër, e tjetri të parin po përdorin çdo rrethanë ngjarjesh dhe situate në favor të tyre…
Gjatë gjithë ditës së mërkurë qoftë përmes takimesh e qoftë përmes një video-mesazhi të shpërndarë mbasdite, kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit Rama që të zbatojë planin e PD-së për pandeminë, të japë më shumë fonde për shëndetësinë, të rimbursojë shpenzimet për ata që janë të infektuar me Covid e deri të rikuperojë dëmet për tërmetin.
“Zbato planin tim për të luftuar pandeminë, për të ulur infeksionet dhe për të shpëtuar jetë. Hiqua paratë që u dhe miqve të tu dhe jepja ato spitaleve për më shumë mjekë, infermierë dhe kujdes për të sëmurët. Jepu ndihmë financiare qytetarëve, të gjithëve pa përjashtim. Merr urgjentisht masa për çmimet e ilaçeve dhe të ushqimeve që vetëm janë rritur gjatë kohës tënde”, ishin disa nga kërkesat e Bashës.
Të gjitha këtyre, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një deklaratë të shkurtër më shumë si koment në faqen e tij Tëitter, që lidhet në fakt jo me situatën e Covid, por me zhvillimet e brendshme në PD.
“Lulëzim unë nuk fshihem pas asnjë komiteti, po t të kuptoj se ti i bën komitetet për t’u fshehur siç bëre komitetin për të “vrarë” çunin e Fariut me patllaken e Bujar Nishanit e Salianjin me thikën e Genc Rulit! Dhe në fund vrave PD varrose Komitetin dhe hëngre shpullën e Saliut!”.
Reagon më vonë edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.
“… Vazhdo tek plehrat se je mirë. Mos harxho kohën kot me procesin transparent të përzgjedhjes së kandidatëve nga PD bashkë me qytetarët, sepse nuk të beson më askush për asgjë. Shqiptarët janë mbingopur nga gënjeshtrat dhe batutat e tua të lodhura…”, tha ndër të tjera, Gazment Bardhi.
Kryeministri Edi Rama poston në mbrëmje një koment të dytë. Kësaj here fokusuar tek situata e Covid.
“Shumë tërbim sot nga çeta e çakërdisur e opozitaristëve pa vizion, pa program, pa ide dhe as din e iman, me daljen para syve tuaj të pamjeve e të dëshmive nga brendia e spitaleve Covid 1 dhe 3!
Duan t’ju fusin ankthin, t’ju kallin tmerrin e t’ju mbushin me panik, për “spitalet në kolaps”, “të sëmurët që dergjen dyshemeve”, “situatën jashtë kontrollit” dhe ëndërrojnë që kështu të ndodhë vërtetë, të sëmureni sa më shumë, të vdesin sa më shumë njerëz, të bëhet qameti fare, sepse kjo është shpresa e tyre e fundit për t’u rikthyer në pushtet…”, komenton Rama, i cili lajmëron se do të bëjë publike të tjera video “ekskluzive” , një situatë sureale në fakt a thua se ky i fundit i ka marrë leje komitetit teknik nga i cili varet për të nxjerrë pamjet e spitaleve.
“Siç e patë dhe siç do ta shihni edhe në pjesët e tjera EKSKLUZIVE me pamje e dëshmi, spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps, shtretërit e lirë nuk mungojnë, pacientët trajtohen me dinjitet, respekt, profesionalizëm, asnjë protokoll mjekësor anti-Covid që përdoret sot në Europë nuk mungon dhe shifrat e tregojnë qartë, që niveli i infektimeve e i humbjeve të jetëve s’është aspak ndryshe nga askund në Europë, ashtu sikundër tregojnë se niveli i shërueshmërisë në spitalet tona është i lartë, si kudo, pavarësisht fataliteteve që njësoj si në të gjithë botën fatkeqësisht nuk mungojnë”.
Kaq ishin replikat e të mërkurës dhe ky është vetëm fillimi…Kemi hyrë në fushatë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje