Një rast i bujshëm ngre hije të forta dyshimi në lidhje me miqësoren e Stambollit mes Turqisë dhe Kroacisë, që u mbyll me rezultatin 3-3. Federata Kroate e Futbollit ka bërë të ditur se mbrojtësi Domagoj Vida ka dalë pozitiv me Covid-19, por ai ishte titullar dhe u zëvendësua në pushimin e ndeshjes.
Mbrojtësi i Beshiktashit luajti gjatë pjesës së parë dhe me shumë mundësi ka infektuar ndonjë nga lojtarët në fushë. Ka edhe disa pamje, ku shfaqet Vida para ndeshjes, në tunelin e stadiumit, duke përqafuar shokët e Beshiktashit që luajnë me kombëtaren e Turqisë.
“Pasi të gjithë lojtarët dhe pjesëtarët e stafit teknik rezultuan negativë në testet e së hënës para ndeshjes me Turqinë, të mërkurën është bërë edhe një xhiro tjetër tamponësh për ndeshjen me Suedinë. Federata ka marrë përgjigjet, ku Domagoj Vida ka rezultuar pozitiv. Stafi mjekësor i ekipit kombëtar ka marrë informacion në fund të pjesës së parë të ndeshjes me Turqinë.
Trajneri Zllatko Daliç kishte vendosur më parë që ta ndërronte Vidën, ndërsa mjekët e kanë izoluar lojtarin sipas të gjitha masave epidemiologjike. Vida, sipas rregullores, do t’i kalojë ditët e ardhshme në karantinë në Stamboll”, – shkruhet në njoftimin zyrtare të Federatës Kroate të Futbollit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje