Futboll

Historike për Maqedoninë e Veriut, për herë të parë në Europian

Për herë të parë në historinë e saj, Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në një Europian. Një gol i veteranit Goran Pandev ndaj Gjeorgjisë e ka kualifikuar atë për në fazën me grupe të Euro 2020, që vazhdon të quhet kështu, edhe pse do të zhvillohet në verën e 2021-shit.

Pandev, ish-sulmuesi i Interit dhe Lacios, aktualisht te Xhenoa, 115 ndeshje me Maqedoninë e Veriut, ka shënuar golin më të rëndësishëm në karrierë. Një prekje precize me të majtën në minutën e 56-të të ndeshjes e ka çuar vendin e tij në parajsë.

Sulmuesi 37-vjeçar deshi të tërhiqej nga futbolli vitin e kaluar, por vendosi ta zgjaste karrierën edhe për një sezon, duke tentuar Europianin dhe ia arriti qëllimit. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Angellovski, pasi eliminoi Kosovën, arriti të triumfojë edhe ndaj Gjeorgjisë dhe tashmë i shtohet Grupit C në Europian, ku bëjnë pjesë edhe Holanda, Austria dhe Ukraina.

Presidenti i Federatës Maqedonase, Muhamed Sejdini, dhe trajneri Angellovski, duke festuar kualifikimin. Gazeta Si, 12 nëntor 2020

Ishin katër futbollistët shqiptarë që luajtën titullarë në këtë ndeshje vendimtare për Maqedoninë e Veriut, mbrojtësit Bejtullai dhe Musliu dhe mesfushorët Ademi dhe Alioski. Mungonte Enis Bardhi, i cili është një nga lojtarët më të mirë të maqedonasve. Edhe fqinjët tanë arrijnë kështu një sukses historik, ashtu si Shqipëria në 2016-ën, kur shkoi në Europianin e Francës.

Pas ndeshjeve të play-off-it janë kualifikuar edhe Hungaria, Sllovakia dhe Skocia. Hungarezët përmbysën gjithçka ndaj Islandës brenda 4 minutash, kurse Skocia u kualifikua pas penalltive në Beograd, duke lënë jashtë Serbinë.

Skuadrat e kualifikuara për në Europian janë Belgjika, Italia, Rusia, Polonia, Ukraina, Spanja, Franca, Turqia, Anglia, Çekia, Finlanda, Suedia, Kroacia, Austria, Holanda, Gjermania, Portugalia, Zvicra, Danimarka, Uellsi, Hungaria, Sllovakia, Skocia dhe Maqedonia e Veriut. Europiani do të jetë për herë të parë një turne që do të zhvillohet në 12 vende. Ndeshja inauguruese do të luhet në Romës, më 11 qershor, mes Italisë dhe Turqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë