Për herë të tretë Nevil Dede do të drejtojë Tiranën, ekipin me të cilin ka fituar gjithçka si futbollist. Ish-kapiteni bardheblu ishte kandidati kryesor për të zënë vendin e Emanuel Egbo, i shkarkuar të enjten nga drejtuesit e klubit, pas eliminimit të Tiranës në Kupën e Shqipërisë nga Korabi.
“Tirana emëron në krye të ekipit ish-kapitenin legjendar Nevil Dede. I shpallur 8 herë kampion i Superligës, 5 herë fitues i Kupës së Republikës dhe 6 herë fitues i Superkupës, Dede ka shkruar një pjesë të historisë së bardhebluve. Ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i ekipit”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit kryeqytetas për emërimin e trajnerit Dede. Në këtë njoftim nuk jepet asnjë detaj në lidhje me kontratën e trajnerit të ri.

Dede e ka drejtuar Tiranën për herë të parë në vitin 2010, por aventura e tij zgjati vetëm pak muaj. Ai ka qenë në krye të stolit bardheblu edhe në vitin 2013, sërish për një kohë të shkurtër. Tani, në aventurën e tretë si “timonier” i Tiranës, pritet që gjërat të jenë ndryshe. Pas dy javësh kampionat, Tirana ka 3 pikë dhe detyra e Dedes është që të ruajë kurorën e kampionit në fuqi, edhe pse është e qartë se do të jetë shumë e vështirë, pasi shumë gjëra kanë ndryshuar nga sezoni i fundit.
Nevil Dede ka drejtuar edhe disa skuadra të tjera në vend, siç janë Luftëtari, Laçi dhe Kastrioti. Së fundi ai i ka drejtuar Kombëtaren U-19 të Shqipërisë dhe është shkëputur prej saj për të marrë drejtimin e Tiranës, ku ka bërë karrierë si futbollit. Dede ka luajtur edhe me Kombëtaren, por edhe në Kinë.
Shkarkimi i trajnerit Egbo, i cili e shpalli Tiranën kampione sezonin e fundit, u pasua me shumë kritika nga tifozët bardheblu dhe opinioni sportiv karshi drejtuesve të klubit. Pjesa më e madhe e tyre kanë bindjen se gjithçka ka qenë e parapërgatitur dhe se eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ishte vetëm preteksi për largimin e nigerianit dhe ardhjen e Dedes. Klubi ka lënë të kuptohet se Egbo do të mbetet pjesë e Tiranës, pa saktësuar se na çfarë roli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje