Politike

Balla: Drejtësia nuk hetoi financimin e PD nga rusët

Taulant Balla akuzoi drejtësinë shqiptare se dështoi në përpjekjet e saj për të hetuar dhe zbardhur financimin rus të Partisë Demokratike.

Balla foli këtë të hënë në Kuvend, ku në rend të ditës janë edhe ndryshimet në ligjin për partitë politike, që heqin parashikimet e financimit të tyre, pasi me marrëveshjen e 5 qershorit kjo çështje është kaluar në Kodin Zgjedhor.

“Dështimi i institucioneve të drejtësisë shqiptare për të hetuar siç duhet rastin e financimit të PD-së të bërë publik me prova, jo me fjalë se si nga një kompani guackë në Edinburg të Skocisë, persona të caktuar me origjinë, apo me pasaporta ruse ua dha në zemër për të financuar Lulzim Bashën është një fakt që sot nuk është hetuarr. Është një sirenë alarmi se si parti politike mund të bien pre e financimeve nga vende që nuk janë aspak miqësore me Shqipërinë”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist kërkoi ashpërsim të legjislacionit. Balla kërkoi gjithashtu votën pro nga opozita parlamentare për të ngritur komisionin hetimor që do të hetojë akuzat se në territorin e Shqipërisë janë kryer krime lufte.

Balla tha se ideja e propozuar prej tij është duke u formalizuar, duke shpjeguar se është marrë kohë për ekspertizën juridike, me synimin që të mos e vendosë Parlamentin shqiptar në kurs përplasjeje me një gjykatë të huaj.

“Ne kemi detyrimin moral si Kuvend që të qartësojmë disa çështje që lidhen me Shqipërinë. Kemi pasur mazhorancën e 2011 që ka votuar pro një rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Procesi për miratimin e rezolutës në KiE ka nisur që në 2008 nga përfaqësuesi rus. Më vonë në atë rezolutë është përfshirë edhe Shqipëria në Mat, Has dhe Kukës”, u shpreh Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë