Në debatin midis partive opozitare dhe qeverive për ndalimin ose jo të protestave gjatë pandemisë, Bashkimi Europian duket se është në anën e liderëve të unionit.
“Demonstratat janë një e drejtë themelore, por disa të drejta duhet të kufizohen gjatë kësaj emergjence të shëndetit publik”, tha një zëdhënës i Komisionit Europian, duke komentuar debatin e vazhdueshëm rreth trajtimit të tubimeve publike në vendet anëtare.
Ligjvënësit e BE paralajmëruan në fund të muajit të kaluar kundër kufizimeve për ndalimin e protestave në disa shtete anëtare dhe u ankuan se disa masa paraqesin një “rrezik për abuzimin me pushtetin”.
Komisionin reagoi pas ndalimit të të gjitha tubimeve të vendosur në të gjithë Greqinë nga një dekret ekzekutiv i Ministrisë së Brendshme greke. Ky vendim, i cili krijoi trazira politike në Athinë, u miratua nga gjykata e lartë dhe u vendos për të shmangur demonstratat publike në përkujtimin luftës kundër diktaturës ushtarake në fillimin e viteve ’70.
Qeveria këmbëngul se ndalimi është i nevojshëm pasi Greqia po përballet me një rritje të rrezikshme të rasteve me Covid-19 dhe sistemi shëndetësor i vendit është në prag të kolapsit.
Opozita tha se qeveria konservatore merr vendime të tilla për të kënaqur pjesën ultra-të djathtë të elektoratit të saj, duke marrë parasysh se nga pikëpamja e shëndetit publik është e pakuptimtë. Partitë e opozitës gjithashtu kritikuan qeverinë se po bëntë një sy qorr përballë mjeteve të mbingarkuara të transportit.
Por Komisioni tha se ndalimi i tubimeve në këtë periudhë krize nuk ishte anti-kushtetues.

“Mbi këtë bazë, u takon autoriteteve kompetente kombëtare të vlerësojnë situata specifike, ”tha zëdhënësi i BE.
Franca dhe Gjermania deri më tani kanë ndjekur një qasje tjetër.
Në Gjermani, e drejta e tubimit mbrohet në mënyrë rigoroze nga kushtetuta e vendit dhe për këtë arsye, demonstrimet lejohen akoma, me kufizime të caktuara, të tilla si mbajtja e maskës ose mbajtja e distancës nga njëri-tjetri.
Sidoqoftë, ekonomia më e madhe e Europës është përballur me shumë protesta kundër masave të koronavirusit, kur këto kufizime ishin injoruar. Një protestë në Leipzig javën e kaluar, mblodhi mbi 20,000 njerëz dhe ndezi një debat mbi kufizimin e së drejtës për të protestuar më tej ose ndalimin e tyre plotësisht.
Në Francë, Këshilli i Shtetit rrëzoi në qershor një vendim që ndalon mbledhjen e më shumë se dhjetë njerëzve në vende publike pa leje paraprake. Gjykata tha se vendimi ishte “i tepruar”, duke shtuar se një parakusht duhet të jetë marrja dhe njoftimi i autoriteteve lokale për masat e planifikuara të sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje