Bota

Mijëra gjermanë protestojnë kundër masave anti-covid: Po rrezikohet demokracia

Mijëra njerëz që protestojnë kundër ashpërsimit të masave kufizuese për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit u mblodhën të mërkurën jashtë barrikadave që rrethonin Bundestangun gjerman ndërsa ligjvënësit pritet të miratojnë një projekt-ligj që do t’i jepte më shumë pushtet qeverisë për të vendosur kufizime.

Protestuesit janë mbedhur rreth një zone të gjerë, duke përfshirë Bundestagun dhe zyrat parlamentare aty pranë, kancelarinë federale dhe rezidencën presidenciale.

Ashtu si shumica e protestave kundër kufizimeve të koronavirusit, demonstratat duket se po përdoren politikisht, me pjesëmarrjen e partive ekstremiste.

“Ne duam t’i rikthehemi jetës”, lexonte një pankartë e mbajtur nga protestuesit. Një tjetër protestues mbante një flamur me një fotografi të Presidentit Donald Trump.

Protestat erdhën ndërsa ligjvënësit gjermanë hapën debatin mbi një projekt-ligj që do të sigurojë mbështetjen ligjore për qeverinë për të vendosur rregulla të distancës sociale, duke kërkuar mbajtjen e maskave në dyqane publike dhe të mbyllura dhe lokale të tjera për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Ndërsa masa të tilla mbështeten nga shumica e njerëzve në Gjermani, një pakicë e zëshme ka organizuar tubime të rregullta anembanë vendit duke argumentuar se kufizimet janë antikushtetuese.

Masat pritet të kalojnë si dhomën e ulët dhe pastaj dhomën e sipërme të parlamentit dhe të nënshkruhen shpejt nga presidenti i Gjermanisë.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas reagoi ashpër ndaj akuzës nga disa protestues se masat ishin të ngjashme me Aktin të vitit 1933, i cili lejoi nazistët të miratonin ligje pa miratimin e parlamentit.


“Të gjithë, natyrshëm, kanë të drejtë të kritikojnë masat, demokracia jonë lulëzon përmes shkëmbimit të mendimeve të ndryshme,” shkroi ai në Twitter. “Por kush e banalizon Holokaustin nuk ka mësuar asgjë nga historia jonë.”

Një demonstratë në fillim të këtij muaji në qytetin lindor të Leipzig përfundoi në kaos kur mijëra protestues kundërshtuan urdhrin e policisë për të mbajtur maska dhe, më vonë, për t’u shpërndarë. Disa pjesëmarrës sulmuan oficerë policie dhe gazetarë.

Autoritetet lokale u kritikuan për veprimin shumë ngadalë dhe jo mjaftueshëm të fortë për të shpërndarë turmën në Leipzig, duke lejuar që situata të dilte jashtë kontrollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë