Bota

Obama: Çfarë mund të bëjnë ndryshe Biden dhe Harris

Ish-presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se ndihet i emocionuar nga fakti që ish-zëvendësi i tij Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale. Obama tha se shpreson që presidenti i zgjedhur të përdorë një tjetër qasje për bashkëpunimin mes demokratëve dhe republikanëve.

“Mendoj se ajo që Joe dhe Kamala mund të bëjnë është vendosja e disa kufijve, si për shembull që të mos përdorim Departamentin e Drejtësisë për të përndjekur armiqtë politikë, të mos përziejmë interesat personale të biznesit me ato të qeverisë, që presidenti të mos e kthejë në rutinë gënjeshtrën, apo të deformojë të vërtetën sipas interesit të tij, që të mos i quaj gazetarët armiq të shtetit. Ju e dini që këto gjëra, që në njëfarë mënyre u kthyen në normalitet në vitet e fundit, janë gjëra që për mendimin tim mund të ndreqen”, u shpreh ish-presidenti i SHBA.

Duke folur për gazetaren Oprah Winfrey për të promovuar librin e ri të tij, “Një tokë e premtuar”, Obama foli edhe për martesën me Michelle Obama, për të cilën tha se kishte kaluar momente të vështira gjatë qëndrimit 8-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Në mënyrë të veçantë ai lavdëroi vjehrrën e tij, Marian Robinson, që e ka ndihmuar për të tejkaluar mosmarrëveshjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë