Bota

Shtetet e SHBA ashpërsojnë masat kufizuese anti-Covid: Jemi në valën e tretë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar mbi 1 milionë infeksione të reja me Covid-19 vetëm brenda javës së fundit, duke e çuar numrin total të të infektuarve në mbi 13 milionë.

Për shkak të rritjes së fortë të kurbës së infeksionit, shumë shtete të federatës janë duke ashpërsuar masat shtrënguese në përpjekje për të zbutur kurbën rritëse të përhapjes së sëmundjes.

Zëri i Amerikës thotë se shumë shtete dhe qytetet në të gjithë Amerikën po i urdhërojnë dhe u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi, pak përpara festës kombëtare të Ditës së Falënderimeve, që mbahet javën e ardhshme.

Kryebashkiakja e Çikagos u ka kërkuar banorëve që të kufizojnë grumbullimet në jo më shumë se dhjetë vetë. Masa e re hyri në fuqi të hënën dhe do të zgjasë të paktën një muaj.

Kufizimet e reja në qytetin e Filadelfias do të fillojnë të premten dhe do të zgjasin deri në fund të vitit.

“Do të ndalojmë grumbullimet në ambientet e brendshme, ose aktivitetet e çdo përmase në çdo vend, publik ose privat. Do të thotë jo festa në shtëpi, darka në grupe, grupe që mblidhen për të parë futboll, jo vizita midis familjeve, jo dasma dhe funerale në ambiente të mbyllura”, thotë Dr. Thomas Farley, Komisioneri i Shëndetësisë në Filadelfia.

Guvernatori i Uashingtonit, Jay Inslee paralajmëroi se shteti i tij po përballet me rrezikun më të madh nga virusi deri tani.

“Po përballemi me një valë të tretë që duket se do të jetë më e rrezikshme se ato që kemi parë deri tani. Rastet mesatare ditore në shtetin tonë janë dyfishuar vetëm në dy javët e fundit. Nuk mund të vazhdojë kështu”, thotë ai.

Duke filluar nga e marta, palestrave dhe disa qendrave argëtuese në shtetin Uashington do t’u kërkohet të ndalojnë shërbimet e brendshme dhe që nga e mërkura, restorantet dhe baret do të shërbejnë vetëm në ambientet e jashtme, ose për ushqime “merre me vete”.

Po të mërkurën, Miçigani filloi kufizimet e reja për të paktën tre javë, përfshirë kalimin e mësimit online për shkollat e mesme dhe universitetet, ndërprerjen e sporteve të organizuara dhe ndalimin e ngrënies në ambiente të mbyllura.

Të hënën doli një lajm i mirë për një vaksinë të dytë premtuese për COVID. Kompania farmaceutike Moderna tha se rezultatet paraprake zbuluan se vaksina e saj ishte 94.5 përqind e efektshme. Por zyrtarët e saj thonë se ka akoma shumë punë përpara.

Ndërkohë kompania farmaceutike Pfizer tha të mërkurën se studimi i saj ka arritur në përfundimin se vaksina e saj është 95 për qind efektive kundër COVID-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë