Futboll

Dëmtim serioz në gju, Reali pa kapitenin Ramos ndaj Interit

Probleme për Real Madridin para ndeshjes të së mërkurës me Interin në Ligën e Kampionëve. Trajneri Zinedin Zidan duhet t’i bëjë llogaritë pa kapitenin Serxho Ramos, i cili pësoi një dëmtim me Spanjën në sfidën ndaj Gjermanisë, në Ligën e Kombeve.

Mbrojtësi, sipas analizave të fundit, ka një dëmtim muskulor në tendinën e gjurit të djathtë dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen me Interin javën e ardhshme. Ramos u dëmtua në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Gjermanisë. Ai ndjeu dhimbje dhe kërkoi menjëherë ndërrim, kur rezultati ishte 3-0 në favor të Spanjës.

Kapiteni i Realit, Ramos, feston golin ndaj Interit. Gazeta Si, 19 nentor 2020

Te Reali janë të ndërgjegjshëm se pa kapitenin do ta kenë shumë të vështirë në “San Siro”. Mungesa e tij rëndon shumë, e tregojnë qartë edhe shifrat. Në 8 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve, ku numri 4 i madrilenëve ka munguar, skuadra ka humbur 7 herë. Kuptohet qartë se sa i rëndësishëm është Ramos për Realin në ndeshje të tilla.

Por më e keqja është se Zidan ka edhe probleme të tjera në mbrojtje. Gjatë ndeshjes Francë-Suedi, trajneri Deshamp e ndërroi pas pjesës së parë Rafel Varan, mbrojtësin tjetër të qendrës së Realit. Varan mori një goditje në shpatull gjatë një dyluftimi ajror. Francezi pritet të jetë i gatshëm ndaj Interit, por me siguri nuk do të jetë në 100% të formës së tij. Eden Hazard dhe Militao ndërkohë kanë rezultuar negativë dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Zidan ndaj Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë