Totenhemi i Zhoze Mourinjos ka mundur pastër Mançester Sitin e Pep Guardiolës me golat e Son dhe Lo Selso, duke u ngjitur në krye të klasifikimit me 20 pikë, në pritjes të sfidës mes Leiçesterit dhe Liverpulit. Ka fituar edhe Çelsi në fushën e Njukasëllit me rezultatin 0-2.
Ndeshja nisi mirë për skuadrën e Mourinjos, që gjeti shpejt avantazhin me koreanin Son. Siti u përpoq të reagonte dhe barazoi me Laporten, por goli u anulua nga VAR-i për një prekje të topit me dorë nga futbollisti francez. Argjentinasi Lo Selso dyfishoi rezultatin në pjesën e dytë pas një kundërsulmi të shpejtë të Totenhemit dhe këtu ndeshja u mbyll praktikisht. Është një moment i mirë për të besuarit e Mourinjos, që kryesojnë klasifikimin në Premier Ligë.

Në Gjermani bie menjëherë në sy ndalesa e Bajern Mynihut nga Verder Bremeni i Milot Rashicës, me kosovarin gjithmonë një problem për mbrojtjen bavareze me shpejtësinë e tij, ashtu si dhe Sargent, ndërkohë që Egestein shënoi për miqtë në pjesën e parë. Në të dytën barazoi Koman, por vetëm kaq. Edhe pse e shtuan ritmin, bavarezët nuk mundën të shënonin golin e fitores. Në fundin e ndeshjes të dyja skuadrat patën nga një rast për gol, por gjithçka përfundoi 1-1.
Një përmbysje spektakolare ka bërë Borusia Dortmund ndaj Hertës së Berlinit. Skuadra berlineze shënoi e para, por më pas norvegjezi Haland u tregua i pamëshirshëm dhe realizoi 4 herë në fitoren 2-5 të Borusias, që tashmë i afrohet me një pikë Bajernit kryesues. Bavarezët kanë 19 pikë, kurse Borusia 18.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje