Bota

Turqia bllokon ushtarët gjermanë nga kontrolli i anijes me destinacion Libinë

Turqia ka ndaluar një frigatë gjermane që të ushtrojë kontroll mbi një anije të saj, që kishte për destinacion Libinë.

“Der Spiegel” raporton se frigata “Hamburg”, që është pjesë e misionit të Bashkimit Europian për të zbatuar embargon e armëve ndaj Libisë u urdhërua që të kontrollojë anijen turke “Rosaline A”.

Media gjermane nuk saktëson se kur ka ndodhur incidenti, por thotë se ushtarët gjermanë të “Hamburg” u bllokuan menjëherë pasi zbritën në bordin e anijes turke. “Der Spiegel” thotë se shkak u bë ndërhyrja e Qeverisë turke, që ka protestuar me forcë duke mos dhënë miratimin për kontrollin e anijes.

Kjo ndërhyrje ka detyruar ushtarakët gjermanë që të largohen pa e zbatuar urdhrin e marrë dhe duke respektuar një marrëveshje mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, sipas të cilës kontrollet mbi anijet turke nuk mund të ndërmerren nga misioni “Irini” i BE-së pa miratimin e Ankarasë.

Turqia nuk e ka fshehur asnjëherë mbështetjen e saj direkte për qeverinë e Tripolit, madje duke e furnizuar atë edhe me armë dhe ka dyshime edhe me mercenarë për t’iu kundërvënë Gjeneralit Khalifa Haftar, që kontrollon pjesën më të madhe të territorit të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë