Presidenti Ilir Meta riktheu për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për “Policinë e Shtetit”, duke cituar katër shkelje që sipas tij, bëhen me këto ndryshime.
Së pari, Meta thotë se në formën e propozuar ligji cenon pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Së dyti, Presidenti thotë se ai shkel të drejtën e privatësisë; së treti e kthen policinë në një organ që gjurmon qytetarët jashtë procesit penal dhe jashtë kontrollit të prokurorisë, apo gjykatës dhe rrezikon të vendosë qytetarët në forma presioni qeveritar në fushatë dhe gjatë procesit zgjedhor.
Në fund, Meta thotë se ligji në fjalë shkakton pabarazi në radhët e punonjësve të Policisë, duke sanksionuar lëvizjen e tyre edhe pa miratim paraprak, çka Presidenti vlerëson se mund të ketë pasoja në humbjen e përfitimeve që kanë punonjësit e policisë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës.
Presidenti hedh dyshime edhe në lidhje me procedurën e ndjekur për miratimin e këtij ligji. Ai kujton se ligji është depozituar që në fillim të shkurtit, por ka qëndruar në sirtaret e Kuvendit deri në shtator kur bëri një propozim i deputetit Adnor Shameti, ku shtohet një paragraf për rolin e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor.
“Ajo që bie në sy, është fakti se nisma e parë nga Këshilli i Ministrave është depozituar në Kuvend që në datën 6 shkurt 2020, ndërsa propozimi i deputetit Alket Hyseni që lidhet ekskluzivisht me shtimin e një paragrafi që përcakton rolin e Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor, është depozituar vetëm në 22 shtator 2020. E megjithatë, kjo nismë është shqyrtuar përfundimisht nga Kuvendi (duke bashkuar propozimet) pikërisht në muajin tetor (pra mbi 8 muaj pas depozitimit të nismës nga Këshilli i Ministrave)”, thuhet në arsyetimin e Metës.
Në propozimin e deputetit Alket Hyseni përcaktohet roli i Policisë në procesin zgjedhor, ku përcaktohet se “zbaton detyrat në shërbim të administrimit të qetë dhe të rregullt të proceseve zgjedhore, ose të referendumeve, bashkëpunon me administratën zgjedhore dhe raporton për veprimtarinë e strukturave të policisë në zgjedhje, ose në referendume, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje