Politike

Basha: Rikthej shpresën për të rikthyer emigrantët

Lulzim Basha premtoi se nesër në pushtet, Qeveria e tij do të rikthejë të rinjtë që janë larguar nga vendi për shkak, siç tha ai, të mungesës së shpresës dhe përkrahjes nga shteti.

“Cili është shkaku i largimit të tyre? Mungesa e shpresës, mungesa e perspektivës, mungesa e vendeve të punës. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur në krye të prioriteteve tona për qeverisjen e nesërme, kthimin e shpresës tek Shqipëria, me prioritet absolut vendet e punës, punësimin e në veçanti punësimin e rinisë. Detyra e qeverisë së ardhshme është që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe sa më të pranueshëm rikthimin në vendin e tyre, dhe ky është një tjetër prioritet sa i përket rinisë në veçanti dhe mbylljes së kësaj plage të emigracionit”, tha kreu i PD-së gjatë një takimi me nëna që kanë fëmijët në emigrim.

Basha akuzoi se Qeveria aktuale nuk ngjall as shpresë dhe as perspektivë për të rinjtë shqiptarë.

“Kjo është arsyeja pse emigracioni në Shqipëri është rritur 3-4 herë më shumë sesa mesatarja e Ballkanit. Ju garantoj se do të bëj gjithçka që jo vetëm mos t’ju zhgënjejë, por t’i përmbush pritshmëritë tuaja dhe të gjithë nënave dhe grave dhe motrave dhe baballarëve, të prindërve tanë, që ta fusim Shqipërinë në një rrugë shprese, në një rrugë zhvillimi, në një rrugë punësimi për të gjithë, por në radhë të parë për ju”, vijoi kreu i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë