Futboll

Superiorja “ha” edhe trajnerin e tretë, Kolela largohet nga Apolonia

Janë luajtur vetëm 5 javë nga kampionati i Superiores dhe janë 3 tashmë trajnerët që janë larguar. Ndoshta mund të jetë një rekord ky për nivelin elitar të futbollit shqiptar. Pas Emanuel Egbo te Tirana dhe Armando Cungut te Laçi, është larguar edhe italiani i Apolonisë, Xhovani Kolela.

Një ditë pas humbjes tenistike me Laçin, 6-1, ai ka dhënë dorëheqjen dhe drejtuesit e klubit fierak e kanë pranuar. Drejtimin e skuadrës e ka marrë përkohësisht Nikolin Çoçlli, deri tani ndihmës i Kolelës. Apolonia nuk ka bindur në këto javë të para, nuk ka fituar ende asnjë ndeshje dhe qëndron në vendin e fundit të tabelës së renditjes.

Xhovani Kolela, ish-trajneri i Apolonisë. Gazeta Si, 30 nëntor 2020

Kolela erdhi në Fier për një rol drejtuesi tek Apolonia, por me largimin e Artan Mërgjyshit, i cili e ngjiti këtë skuadër në Superiore, ai mori rolin e trajnerit. Një detyrë që e mbajti vetëm 5 javë, për t’i lënë tashmë vendin një tjetër trajneri. Ndoshta klubi mund t’i besojë Çoçllit, nëse skuadra ka ecuri të mirë. Trajneri kryeqytetas ka drejtuar më parë Luftëtarin në Superiore. Ndeshjen e radhës Apolonia e ka me Kukësin në transfertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë