Politike

Vokshi: Xhaçka të sqarojë pse përdori helikopterin 22 herë për 2 muaj në Dibër

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi ka këmbëngulur të martën përmes një deklarate zyrtare se ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka duhet të japë sqarime se pse e ka përdorur helikopterin 22 here në dy muaj Tiranë-Dibër vatje -ardhje.

“Deri më sot, nuk ka asnjë sqarim nga Ministrja e Mbrojtjes për qytetarët shqiptarë. Pse Olta Xhaçka duhet të shkojë në mbledhje partie me helikopter dhe pse qytetarët duhet të vuajnë pasojat e këtij abuzimi që kushton mbi 100 milionë lekë.

Vetëm në dy muajt e fundit, për të dërguar dhe për të marrë Olta Xhaçkën nga Dibra, helikopteri ushtarak ka udhëtuar 22 herë nga Farka në Peshkopi dhe anasjellas. Ka patur raste që zonja ministre ka përtuar të shkojë deri në Farkë dhe helikopteri e ka marrë apo e ka lënë poshtë zyrës së saj në Ministrinë e Mbrojtjes.

Olta Xhaçka hesht, edhe pse është kapur në flagrancë në një shkelje, të përsëritur, të kryer në vijimësi, me vetëdije të plotë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 100 milionë lekë.

Edhe Edi Rama hesht, megjithëse abuzimi me detyrën nga vartësja e tij, është flagrant. Më e pakta, që mund të bëntë një kryeministër normal, do të ishte shkarkimi i Ministres së Mbrojtjes për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike për interes privat partiak”, tha Vokshi.

Ajo bëri publike edhe një herë një tabelë të itinerarit të lëvizjeve të ministres.

“Në ekran po shfaqen edhe një herë datat, kur Olta Xhaçka e ka përdorur helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për punët e Partisë Socialiste. Brenda ditës, helikopteri ka shkuar në Dibër, është kthyer, në Tiranë, ka shkuar prapë në Dibër pasdite për ta marrë, pasi ka inspektuar rrugë lokale dhe ka bërë mbledhje partie.

Helikopteri e ka bërë këtë plot 22 herë për 2 muaj. Çdo vajtje në Dibër e Olta Xhaçkës me helikopterin ushtarak kushton nga 5-10 mijë euro”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë