Futboll

Ski, futsall dhe pastaj Milani. Vikingu Hauge, me fatin kuqezi

“Më quajnë Hauge dhe i zgjidh unë problemet”. Jo, nuk mund mendohet kurrë se këtë fjali mund ta dëgjosh nga goja e tij, sepse Jens Peter Hauge është një djalosh i kujdesshëm dhe shumë punëtor. Ai erdhi papritur te Milani dhe papritur u bë i rëndësishëm për këtë skuadër. Që i vogël ka admiruar Didier Drogbanë dhe ka qenë tifoz i Çelsit.

Bënte ski dhe luante futsall në shtëpinë e tij, pasi dëbora dhe i ftohti nuk e lejonte të qëndronte shumë në ambient të hapur. Më pas u dashurua me Eden Hazard, me golat, asistet dhe driblimet e tij. Ishte aq i lumtur që kishte firmosur për klubin që donte. Pastaj erdhi Milani, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, pas një ndeshjeje të bukur me Bodoe Glimt. Por interesi kishte lindur kohë më parë, teksa zbuluesit e talenteve të klubit kuqezi e ndiqnin prej kohësh.

Hauge kur prezantohej te Milani. Gazeta Si, 5 dhjetor 2020

Kur nisën bisedimet për marrëveshjen, nuk u desh shumë për ta finalizuar atë. Milani shpenzoi 4.5 milionë euro, shifra më e ulët për një blerje nga lojtarët aktualë. “Djaloshi ka stof për t’u bërë kampion”, – thoshin menaxherët e sektorit teknik. Përfaqësuesit e fondit Elliott i dhanë “ok”-in Gazidisit në kohë rekord dhe firma u hodh me pëlqimin e plotë të të gjitha palëve.

Hauge vjen nga Bodoe, një qytezë me rreth 50 mijë banorë në Norvegjinë veriore, një vend i zgjedhur mes qyteteve europiane të kulturës për vitin 2024, bashkë me disa vende të tjera të veriut të Europës. Në atë vit Hauge shpreson të ketë fituar diçka me Milanin, pritshmëritë e tij janë të mëdha, si me skuadrën aktuale, ashtu edhe me Norvegjinë. Por më të mëdha janë pritshmëritë e Milanit ndaj tij.

Goli i Hauge ndaj Selltikut. Gazeta Si, 5 dhjetor 2020

21-vjeçari nuk ka aspak emocione në fushë dhe është fleksibël ndaj rolit, edhe pse si anësor i majtë bën më mirë. Hauge dëshiron të mësojë, studion italishten me pasion dhe ka një fiksim për perfeksionin. Një fiksim që e ka marrë ndoshta nga Haland, ylli i Dortmundit dhe mik i tij në kombëtare.

Kujt i ngjan Hauge? Kush e di… Ka forcë, shpejtësi dhe e njeh portën. Nuk imiton idhujt që ka pasur në fëmijëri dhe duket se po rritet me shpejtësi. Ai thotë se do shumë që të argëtojë tifozët, të cilët nuk janë aktualisht, por herët a vonë do të kthehen në stadiume. Pioli nuk e vë nën presion, por pa Ibrahimoviçin në fushë edhe Hauge mund të ketë më shumë hapësirë në zonën gol.

Po ia shtron rrugës vetes me kujdes, vlerëson detajet dhe është impresionues, por kur dikush ia thotë këtë, ai përgjigjet me modesti: “Po mësoj akoma”. Jeton vetëm në Milano, ka zgjedhur një shtëpi në qendër, në një zonë të frektuentuar nga shumë futbollistë të tjerë.

Hauge gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 5 dhjetor 2020

Hauge ka qenë lojtar futsalle dhe shumë i dhënë pas skive, por shpejt kuptoi se duhej t’i linte ato për t’u marrë me gjëra të tjuera. Kishte shumë miq në qytetin e vogël, që e dashuron aq shumë. Shpesh flet me ta. Ka treguar se para ndeshjes me Milanin, kur luante ende me Bodoe Glimt, duke studiuar videot, u ka thënë shokëve: “Skuadër e bukur, skuadër të rinjsh, do ishte mirë të luaja aty në të ardhmen”.

U nda nga skuadra ku u rrit me buzëqeshje, ishte mirë për të gjithë. Ai stërvitet fort, në kohën e lirë luan “playstation” dhe bën telefonata të gjata video me veriun e Europës. Në Milanelo dje binte borë dhe Hauge bënte shaka në rrjetet sociale: “Klimë norvegjeze, ndihem në shtëpi”. Me Bodoen është shumë i lidhur, por kjo nuk e mundon, e tregon ambientimi i shpejtë dhe golat që ka shënuar. E ardhmja e Hauge është tani, edhe pse është 21 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë