Fundjavë historike në një farë mënyre në Premier Ligë, pasi rikthehet publiku në shkallët e 5 stadiumeve të kampionatit (edhe pse i limituar, maksimumi 2 tifozë në ndeshje). Tifozët mungonin në stadium në Angli prej 271 ditësh. Njoftimin e ka dhënë ditët e fundit qeveria britanike, duke sqaruar se tifozët do të kthehen në numër të reduktuar dhe shitja e biletave varet nga zona, në të cilën ndodhet skuadra.
Për këtë arsye, vetëm 10 skuadra do të kenë mundësinë të lejojnë 2000 tifozë në stadium, ato të zonës 2. Dhe këto skuadra janë Arsenali, Brajtoni, Çelsi, Kristal Palas, Evertoni, Fulhemi, Liverpuli, Southemptoni, Totenhemi dhe Uest Hemi. Dhjetë skuadrat e tjera, Aston Vila, Bërnli, Lidsi, Leiçesteri, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Njukasëlli, Shefilld Junajtid dhe Uest Bromuiç, që ndodhen në zonën 3, do të vazhdojnë të luajnë me dyer të mbyllura deri në dekretin e radhës.

Rikthimin e tifozëve e ka komentuar trajneri Jurgen Klop, i cili do të rishohë fansat e Liverpulit në “Anfield Road” në ndeshjen ndaj Volverhemptonit. “Shpresoj të jetë një përvojë e madhe për të gjithë ne. Si lojtar kam luajtur shpesh para 2 mijë personave, që mund të krijojnë një ambient të bukur. Pas kësaj pauze të gjatë mendoj se publiku ynë do të jetë në formën më të mirë. Kur shkohet në “Anfield”, nuk është e rëndësishme sa vetë janë, por sa tifo bëjnë. Besoj se 2000 tifozë do të na ndihmojnë shumë. Para së gjithash, duhet të shijojnë ndeshjen”, – u shpreh Klop.
Kundër rrymës është Marselo Bielsa, trajneri i Lidsit, i cili ka thënë: “Nëse tifozët nuk lejohen në gjithë stadiumet, atëherë nuk duhet të lejohen në asnjë stadium. Klubet nuk duhet të vuajnë pasojat e të qenit në një zonë, apo në një tjetër. Duhet mbajtur konkurrenca sa më e pastër. Prania e tifozëve ndikon edhe në rezultat. Vendet me rrezikun më të lartë të infektimit janë më të penalizuarit, por nuk duhet të ndëshkohen për këtë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje