Humbja me Kadizin në fundjavën që kaloi nuk ishte aq e papritur, ishte thjesht konfirmim i krizës së katalanasve në kampionat, ndërsa në Ligën e Kampionëve situata ndryshon dhe ata janë me pikë të plota.
Në La Liga Barcelona është e shtata, me 14 pikë në 10 ndeshje, me një bilanc prej 4 fitoresh, 4 humbjesh dhe 2 barazimesh. Për të gjetur një fillim të kampionatit kaq të dobët duhet të kthehemi në sezonin 1987-88, pra 33 vite më parë. Drejtimi i Koemanit do të ishte një dështim fatal, nëse skuadra do t’i kishte punët keq edhe në Ligën e Kampionëve.

Të martën në “Camp Nou” ndeshet me Juventusin, që duhet të fitojë me 3 gola avancë për t’u marrë spanjollëve vendin e parë. Juventusi nuk është më si në ndeshjen e parë në “Allianz Stadium” dhe mund të shpresojë. Me shumë interes pritet edhe sfida Ronaldo-Mesi. Argjentinasi është një nga ata që kanë përfunduar në bankën e të akuzuarve.
“Mundo Deportivo” ka bërë një analizë të detajuar të topave të humbur nga Mesi në këtë fillim të sezonit. Ndaj Kadizit ai humbi 29 topa, një shifër rekord për këtë lojtar, ndaj Real Madridit humbi 26, ndaj Alaveshit 27 dhe ndaj Atletiko Madrid 23. Nuk janë të dhëna që kanë lidhje me pozicionin në fushë të lojtarit. Leo vepron pak a shumë ku do vetë, në gjysmëfushën kundërshtare.
Problemi është se ai duket i bllokuar në atë që është specialiteti i tij, driblimi. Për shumë njerëz të futbollit, ky problem lidhet me moshën, për disa të tjerë është një rrjedhojë logjike e faktit që ai mezi po pret të largohet nga Barcelona. Ka dashur ta bëjë që në gusht. Në çdo rast, për të shpëtuar, Mesi dhe Barcelona kanë nevojë për njëri-tjetrin, të paktën derisa rrugët e tyre të ndahen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje