Futboll

Kosova në grup me 3 shtete që nuk e njohin, probleme politike në sfond

Pasi u hoq për shkak të rregullave të FIFA-s nga Grupi A i kualifikueseve të Botërorit, ku bën pjesë Serbia, Kosova është vendosur në Grupin B, por edhe këtu nuk është se gjërat janë në rregull. Në këtë grup bëjnë pjesë tre shtete, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, konkretisht Spanja, Greqia dhe Gjeorgjia. Me siguri që në këto rrethana do të krijohen probleme politike dhe diplomatike.

Me shumë mundësi, tre vendet e përmendura më lart, do të kërkojnë të mos luajnë në Prishtinë ndaj Kosovës, por në një fushë neutrale, siç ka ndodhur me Ukrainën në kualifikueset e Botërorit të fundit, kur ndeshja u luajt në Shqipëri. Shorti i hedhur në Zvicër e vendosi Kosovën në një grup me Serbinë, por rregullorja e FIFA-s parashikon që të mos ndeshen mes tyre dy vende rivale në planin politik. Kështu, Kosova u spostua në një grup tjetër.

Në Grupin B, Suedia është i vetmi vend që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Është ende herët për polemika, por kur të afrojnë ndeshjet me siguri që nuk do të flitet vetëm për futboll para sfidave të Kosovës me Spanjën, Greqinë dhe Gjeorgjinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë