Politike

Soreca shpërndan thirrjen e eurodeputetëve: Shqipëria të futet në axhendën e BE për negociatat

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka shpërndarë letrën e 24 eurodeputetëve, nga grupet kryesore politike, anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, që i kërkojnë Këshillit miratimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në takimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.

“Deklaratë e rëndësishme e përbashkët nga përfaqësuesit e grupeve politike në Parlamentin Europian mbi negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shprehet Soreca.

24 eurodeputetë nënvizojnë përpjekjet e gjithëanëshme të Shqipërisë në reforma, në mënyrë të veçantë në fushën e drejtësisë.

Kjo letër është përshëndetur edhe nga kreu i grupit parlamentar i PS-së Taulant Balla.

Ndërkohë, çështja e zgjerimit dhe kuadri negociues me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është hequr fare nga agjenda e mbledhjes se ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.

Në faqen zyrtare të Këshillit Europian është njoftuar shkurtimisht se diskutimet do të përqendrohen tek pandemia dhe nevoja për forcimin e koordinimit të vendeve të BE-së, negociatat e shkëputjes së Britanisë së Madhe, ndryshimet klimatike, siguria dhe marrëdhëniet me jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë