Futboll

Dramat familjare dhe mbi 2000 kartonë, kush është rumuni që indinjoi futbollin

Pozicioni i Sebastian Kolteskut po komplikohet nga ora në orë, ndërkohë që indinjata e drejtuesve të UEFA-s dhe të botës së futbollit në përgjithësi është rritur. Shprehjet raciste të arbitrit rumun ndaj kamerunasit Uebo në fillim të ndeshjes mes PSG-së dhe Bashakshehirit, e ndërprerë dhe pastaj e braktisur nga dy skuadrat në shenjë proteste, kanë ngritur një stuhi, nga e cila Koltesku vështirë se shpëton.

Për arbitrin rumun, që në këtë ndeshje kishte rolin e arbitrit të 4-t, duket se ka ardhur fundi i një karriere 16-vjeçare. Ajo që ndodhi në Paris ishte akti i fundit i një viti makthi për jetën e 43-vjeçarit nga Kraiova, që ka precipituar si nga ana personale, ashtu edhe nga ajo profesionale.

Arbitri Koltesku dhe Demba Ba i irrituar. Gazeta Si, 9 dhjetor 2020

Arbitër ndërkombëtar prej 16 vjetësh, Koltesku numëron 355 ndeshje në kampionatet kombëtare në Rumani, ku ka marrë famë si një arbitër i ashpër, për shkak të kartonëve të shumtë që nxirrte, më shumë se 2 mijë kartonë në karrierë. Në Rumani ka qenë në qendër të diskutimit për disa gjykime me polemika, ku veçohet një 0-0 mes Gaz Metanit dhe Brashovit, që për penallti të kontestuara dhe ndëshkime të padhëna, i kushtoi një fazë të tërë pezullim.

Në Europë ka drejtuar deri tani në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Europës, por me ato fjalë raciste drejtuasr stolit të Bashakshehirit, i ka prerë këmbët. I menjëhershëm, i ashpër dhe unanim reagimi ndaj tij, ndërsa shtypi rumun ka sjellë në vëmendje fakte të së kaluarës së arbitrit. Kështu, është zbuluar se Koltesku përfundoi në syrin e ciklonit 12 vite më parë për një tentativë vetëvrasjeje. Në atë kohë, shtypi shkruante se kjo kishte ndodhur për shkak të zhgënjimit në dashuri dhe në anën profesionale.

Është zbuluar gjithashtu se muajt e fundit të Kolteskut kanë qenë një makth i vërtetë, nga vdekja e të dy prindërve që vuanin nga një sëmundje e pashërueshme, te divorci (i dyti pas atij të vitit 2007), të kërkuar nga ish-gruaja. Më shumë se për të rregulluar imazhin e Kolteskut, qëndrimi i shtypit rumun duket si një tenativë hetimi për të gjetur arsyet që e çuan 43-vjeçarin në një sjelle të tillë raciste.

Momenti i ndërprerjes së ndeshjes PSG-Bashakshehir. Gazeta Si, 9 dhjetor 2020

Përveç dëshmive të lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit të dy klubeve që ishin pranë në atë moment të ndeshjes, janë edhe disa regjistrime që e gozhdojnë Kolteskun, që me sa duket ka përdorur më shumë se një herë fjalë denigruese ndaj disa lojtarëve të ekipit turk. Termi “zezak” ndaj Uebo duket se është vetëm fyerja e fundit që solli shpërthimin e lojtarëve të stolit të Bashakshehirit dhe që duket se do t’i japë fund karrierës së Kolteskut. Në fund të ndeshjes ai u shoqërua për në hotel nga zyrtarët e UEFA-s, pa u shkëmbyer me lojtarë apo gazetarë.

Ai ka pranuar se ka thënë një fjali të papërshtartshme, por pasojat do të jenë të rënda. Federata rumune është distancuar zyrtarisht, duke dënuar aktin racist. Për ngjarjen reagoi menjëherë presidenti turk, Erdogan. “Jemi kundër racizmit pa kushte dhe kundër diskriminimit në sport në në çdo fushë të jetës. Besoj se UEFA do të ndërhyjë patjetër”, – shkruajti Erdogan në Tuiter.

Qëndrim mbajtën edhe institucionet franceze, që me anë të ministrit të Sportit, Roxana Marcacineanu (me origjinë rumune), përgëzuan lojtarët: “Ata kanë marrë një vendim historik kundër një sjellje të papranueshme racizmi ordiner, – ka thënë Marcacineanu. – E vlerësoj fort domethënien simbolike të gjestit të tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë