Futboll

Video/ Real Madrid nuk fal, Interi i jep lamtumirën Europës

Kur u përmend “biskota” ditë më parë, në Spanjë filluan të qeshnin. Reali nuk bën kompromise asnjëherë dhe ndaj Borusia Mënshegladbah bëri detyrën, duke fituar 2-0. Një fitore që u ka dhënë madrilenëve vendin e parë në grup dhe që ishte edhe një “asist” për Interin, që nuk diti të shënojë dhe kështu i ka dhënë lamtumirën e Europës. Të dy golat e Realit u shënuan nga Benzema në pjesën e parë.

https://twitter.com/GoalRushh/status/1336771472396840964?s=20
Goli i dytë i Benzema. Gazeta Si, 9 dhjetor 2020

Është mbyllur 0-0 në “San Siro” ndeshja e Interit me Shakhtarin, pavarësisht përpjekjeve të pafundme të zikaltërve. Muri ukrainas nuk u ça, duke bërë që Interi të mbetet në vend të fundit, me 6 pikë. Trajneri Konte rikuperoi Barelën për këtë ndeshje delikate, ndërsa Eriksenin sërish e hodhi në fushë në minutat e fundit. Lukaku u mundua shumë, por pa mundur ta gjejë rrugën e rrjetës. Humbje “e ëmbël” në Madrid për Borusian, që kualifikohet në fazën tjetër si skuadra e vendit të dytë.

Atalanta e Berat Gjimshitit ka bërë mrekullinë për të dytin sezon radhazi, duke kaluar grupet. Bergamaskët kanë fituar 0-1 në fushën e Ajaksit rival dhe kanë kaluar më tej, falë golit të Muriel. Mbrojtësi i Kombëtares sonë, Gjimshiti, luajti 90 minuta në këtë ndeshje të rëndësishme, pas së cilës festa ishte e ligjshme. Tek Atalanta në fakt atmosfera ka qenë pak e trazuar para ndeshjes, për shkak të një përplasjeje mes trajnerit Gasperini dhe Papu Gomez, por tani është koha për festë.

Berat Gjimshiti gjatë një dyluftimi. Gazeta Si, 9 dhjetor 2020

Është luajtur sot edhe pjesa e mbetur e ndeshjes PSG-Bashakshehir, ku francezët fituan thellë, 5-1. Nejmar shënoi 3 gola në portën e turqve, kurse Nejmar 2 gola. Pas skandalit të së martës me arbitrat rumunë, UEFA vendosi që ata të ndërroheshin dhe ndeshja u drejtua nga holandezi Makelie. Para se të niste loja, lojtarët e dy skuadrave u ulën në gjunjë në shenjë proteste ndaj racizmit.

Lojtarët e PSG-së dhe Bashakshehirit para rifillimit të ndeshjes. Gazeta Si, 9 dhjetor 2020

Skuadra e kualifikuara për në fazën e 1/8-ve janë: Bajern Mynih, Atletiko Madrid, Mançester Siti, Porto, Real Madrid, Borusia Mënshegladbah, Liverpul, Atalanta, Çelsi, Sevilja, Juventus, Barcelona, Borusia Dortmund, Lacio, PSG dhe Lajpcig.

Rezultatet e ndeshjeve të fundit në grup
Ajaks-Atalanta 0-1
Midtjyland-Liverpul 1-1
PSG-Bashakshehir 5-1
Bajern Mynih-Lokomotiv Moskë 2-0
Inter-Shakhtar 0-0
Mançester Siti-O.Marsejë 3-0
Olimpiakos-Porto 0-2
Real Madrid-Borusia M. 2-0
Salcburg-Atletiko Madrid 0-2


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë