Politike

Komisioni për Dick Marty fillon punën, Manja: Nuk do bëjmë hetime

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Raportin e Dick Marty është mbledhur të enjten për herë të parë. Ky komision ka si qëllim  administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Mbledhja e parë ishte formale. U vendos konstituimi i Komisionit, ngritja e sekretariatit teknik dhe përcaktimi i relatorëve. Deputetët vendosën që për këtë komision të ketë dy relatorë, një nga PS dhe një nga grupi i deputetëve të pavarur, respektivisht Klodilda Bushka dhe Elena Xhina.

Kryetari i komisionit, Ulsi Manja tha se objekti kryesor është sqarimi i akuzave të përcjella në raportin e Dick Marty, i miratuar në vitin 2011 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Për të qenë të qartë Komisioni i Posaçëm nuk është komision hetimor. Veprimtaria bazohet në nenin 24 të rregullores.  Në janar 2011 Asambleja Parlamentare e KiE ka miratuar një rezolutë, ku i kërkon autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar për të sqaruar të gjitha të dhënat e të dhëna në raportin Dick Marty.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2012 ka miratuar një ligj ku i hap rrugë bashkëpunimit me EULEX për të sqaruar këto të dhëna.

“Veprimtaria e këtij komisioni lidhet kryesisht me kontrollin parlamentar, se si autoritetet shtetërore dhe zyrtarët shtetërore kanë zbatuar këtë ligj në Kuvendin e Shqipërisë për të verifikuar të dhënat e raportit të Dick Marty”, tha Manja.

Komisioni parlamentar ka në përbërje 9 deputetë: Ulsi Manja kryetar, Enver Roshi zv. kryetar, Klodilda Bushka Sekretare dhe anëtarët  Alket Hyseni, Adnor Shameti, Ermonela Felaj, Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe Elena Xhina.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë