Politike

Balla e Braçe: PD sulmoi selinë e PS! Bardhi: Sajesë

Taulant Balla thotë se pas protestës që ka shpërthyer pas vrasjes së të riut Klodian Rasha qëndrojnë edhe strukturat e partive opozitare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste publikoi dy foto nga selia e PS-së, ku në njërën shfaqen xhamat e hyrjes së saj të thyer dhe në tjetrën flakët në lulishten e vendosur pranë godinës.

Balla thotë se kjo është vetëm filozofia e Sali Berishës.

“Sa kohë Sali Berisha të drejtojë PD, kjo parti do të ketë vizion rremujen, program vandalizmin dhe ekip katrahuren! Lulezim Basha ku je futur? Dil dhe distancohu nga dhuna apo s’e ben dot, s’ke faj! Sepse je ti pjese e organizimit te dhunes bashke me Moniken e me Ilirin, teksa derguat FRPD tende dhe ca nga ata te tiganit te Jales te godisnin me gure seline e Partise Socialiste!”, shkruan Balla.

Edhe zv.Kryeministri Erjon Braçe fajësoi drejtpërdrejtë Lulzim Bashën. Ai postoi një video nga xhamat e thyer të hyrjes së selisës së PS dhe paralajmëroi Bashën se do të mbajë përgjegjësi për këtë.

“E bëri sot ai dhe Lulzi Basha! Barrë të madhe ke marrë mbi supe Lulzi, barrë shumë të madhe! Dhe s’e di si do e mbash këtë turp; Ke mbi kurriz një krim të përbindshëm me katër të pafajshëm të pushkatuar, nuk ke kurriz ti të mbash dhe më! Mbi të gjitha; Do kesh mbi kurriz çdo krim që i bën prej dy ditësh Tiranës, qytetit e qytetarëve që urren pse kurrë nuk të mbështetën!”, tha ai.

Nga PD reagoi Gazment Bardhi.

“Taulant Balla dhe Erjon Braçe mund të jenë në garë për të zëvendësuar Sandër Lleshaj, por gara se kush do të përhapë i pari lajmin e rremë nuk mund të hedh poshtë të vërtetën. Ajo që po shohim tani në Tiranë është për shkak të arrogancës, dhunës dhe manipulimit të qeverisë në këto 7 vjet. Përpjekjet patetike të Partisë Socialiste për të fajësuar PD-në për 7 vitet e tyre të dështimit është vetëm një provë më shumë se Rama dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë lidhje me realitetin që po jetojnë shqiptarët”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë